Kreu i PS reagon pas kritikave të deputetëve, Malaj dhe Harasani
Kryesocialisti Rama u është përgjigjur dje pretendimeve të deputetëve socialistë se në PS mungon liria. Rama e ka konsideruar procesin e votimit të djeshëm demokratik, ndërsa ka hedhur poshtë çdo pretendim për mungesë lirie dhe demokracie në Partinë Socialiste. “Teksa PS voton demokratikisht Kongresin, një fjalë për ata që thonë s’ka liri në PS: Kush s’di ç‘të bëjë me lirinë, ankohet nga mungesa e saj”, shprehet Rama në një koment të tij në rrjetin social “Twitter”. Është hera e parë që kryesocialisti reagon ndaj akuzave të ngritura ndaj tij përmes deklaratave dhe takimeve me anëtarë dhe simpatizantë. Zërat për ngushtim lirie dhe mungesë kolegjialiteti në vendimmarrje kanë ardhur duke u rritur në PS.
Dy ditë më parë, ish-kryetari i PS-së së rrethit Vlorë, Kujtim Sulçe, dha dorëheqjen dhe iu bashkëngjit LSI-së, pasi sipas tij, “Edi Rama nuk pyet më partinë, por vendos çdo gjë personalisht”. Malaj, përmes një platforme ka kërkuar modernizimin, hapjen e Partisë Socialiste dhe sanksionimin e disa rregullave të qarta që lejojnë një vlerësim sipas meritokracisë, dhe jo servilizmit në këtë parti. “Në Partisë Socialiste po të njihen dhe respektohen më mirë të gjitha kontributet e çdo socialisti dhe mbështetësi të PS-së, do të inspirohen më mirë të rinjtë dhe gratë, do të dëgjohen më shumë grupet e interesit, do të bëhet një opozitë e qartë politike kundër keqqeverisjes së vendit, do të kemi votat e mjaftueshme për të fituar dhe për ta qeverisur sa më mirë vendin tonë”, u shpreh Malaj dy ditë më parë në një takim në Kombinat.
Braçe: Në PS njerëzit zgjedhin dhe zgjidhen lirisht
Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka replikuar dje në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” me anëtaren e Asamblesë Kombëtare, Silva Bino, rreth cilësisë demokratike të zgjedhjeve të djeshme në PS. Erjon Braçe, i deleguar në Berat për zgjedhjet për delegatë të Kongresit, ka shprehur në statusin e tij se demokracia në zgjedhje që mbisundon në PS nuk ka të krahasuar me partitë e tjera. “Vota e anëtarësisë është ajo që bën diferencën mes partive. Që i dallon dhe i ndan në: parti demokratike-institucionale dhe parti private-individuale. Deri tani, në Berat, nga qyteti në çdo komunë kam parë qindra socialistë që votojnë lirisht, paqësisht, zgjedhin dhe zgjidhen! Kjo është Partia më e madhe në vend, më demokratikja! Partia e socialistëve, jo ndërmarrja private e Saliut, Ilirit, Fatmirit etj!”, shprehet Braçe në statusin e tij. Komentues të ndryshëm ndajnë të njëjtin mendim me deputetin socialist, por kanë dhe mendime të tjera. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare socialiste, Silva Bino, shpreh rezervat e saj për një proces jotransparent, që sipas saj nuk ka dallim nga zgjedhjet në PD. “Erjon, vetëm proces transparent nuk është, prandaj më mirë mos flisni fare, pasi nuk ka asnjë dallim nga zgjedhjet në PD. Jam thellësisht e zhgënjyer, votat vidhen kur votojmë për zgjedhje, këtu na thuhet të votojmë për ata që duan të tjerët e nuk dihet si shkon vota? Kështu që, Erjon, më mirë të rrimë shoqëri civile dhe të mos votojmë më asnjë parti”, shprehet në komentin e saj përfaqësuesja e Asamblesë Kombëtare socialiste duke kundërshtuar Braçen.
Bino, në një nga mbledhjet e Asamblesë Kombëtare socialiste, është zgjedhur kryetare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, komision që nuk ka raportuar ndonjëherë për punën që ka bërë. Por, në replikat e Braçes dhe Binos në Facebook është bërë pjesë dhe deputetja socialiste e Tiranës, Ledi Shamku, e cila i kujton Binos se çështjen e transparencës e ka perceptim të gabuar. “Silva, u bënë ca vjet që nuk të shoh në një mbledhje partie në njësinë tënde. Ndoshta këtë idenë për mungesën e transparencës e ke prej së largu, se me partinë e njësisë nuk je marrë asnjë ditë”, i përgjigjet Shamku anëtares së Asamblesë Kombëtare. Nga ana e saj, Bino nuk ka vazhduar replikat me deputetët socialistë, ndërsa Erjon Braçe ka vijuar bashkëbisedimin me miqtë e tij duke i kërkuar të bëhen pjesë e procesit nëse besojnë tek PS. “As mos prisni t’u përjashtojë kush. Por dhe mos prisni t’ju marrë njeri për dore. Partia është e militantëve, ndaj silluni si të tillë. Nga dje sot kam parë, pritur, dëgjuar e sqaruar dhjetëra të interesuar. Pra që kanë interes, që angazhohen dhe kërkojnë edhe në parti atë që u takon. Pra angazhohen, nuk pritën të shkoj e t’u bëj temena unë”, shprehet Braçe në faqen e tij në Facebook.
Harasani: “Parti e re? Çdo opsion është i mundshëm”
Deputeti socialist, Andis Harasani, denoncoi dje problemet që janë vërejtur në zgjedhjet për delegat në PS. “Të gjitha problemet për ato që kanë ndodhur, kam folur me miq në Vlorë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Rrëshen, janë fenomene negative që e dëmtojnë PS si forcë demokratike”, u shpreh sekretari për Programin në PS gjatë një prononcimi për mediat. I pyetur nëse i konfirmon zërat se Arben Malaj është në prag të formimit të një partie të re dhe nëse Harasani do ta ndjekë në këtë lëvizje, deputeti socialist theksoi se do të vazhdojë përpjekjen për modernizimin e Partisë Socialiste. “Çdo opsion është i mundshëm, por ne kemi disa vite që luftojmë për demokratizimin e PS dhe sot jemi shumë më pranë këtij demokratizimi se 3 vjet më parë dhe nuk shoh arsyet se pse duhet të krijohet një parti e re dhe pasojat e një përçarjeje të re të PS do të ishin shumë evidente për të gjithë”, u shpreh deputeti socialist. Harasani tha dje se askush nuk është i përjetshëm në një post. “PS është godina ndërsa njerëzit shkojnë e vijnë, çdokush e kupton pse ne nuk kemi fituar votat që kemi menduar, pse nuk mund të vijmë në pushtet, problemi është si do arrijmë t’i marrim këto vota, jo duke bërë struktura policore në PS, por duke i kërkuar çdo qytetari shqiptar votën përmes një alternative që sot i mungon”, u shpreh deputeti socialist i Tiranës.
Platforma “Malaj” për modernizimin e PS
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, përmes një platforme, kërkon modernizimin e PS. “Zgjerimi i demokracisë së drejtpërdrejtë, funksionimi dhe drejtimi i partive mbi parime institucionale”, janë parimet kryesore për deputetin socialist, mbi të cilat duhet të ndërtohet një parti. Por, anëtari i Kryesisë socialiste, duke evidentuar defektet në drejtimin e PS-së, kërkon kufizim të mandatit të drejtuesit të saj, duke e mbrojtur pozicionin drejtues të tij nga personalizimi dhe injorimi i institucioneve.
Kreu i PS-së së Vlorës u bashkua me LSI
Kryetari i PS-së së rrethit të Vlorës, Kujtim Sulçe, u largua të premten nga kjo parti për t’iu bashkuar LSI-së. Shkak i këtij vendimi, sipas Sulçes, është mënyra se si Edi Rama po drejton PS në mënyrë të personalizuar dhe pa u konsultuar me strukturat e PS të zgjedhura. “Në këto vite që Partia Socialiste drejtohet nga z. Rama, mund të deklaroj prerazi që demokracia në parti nuk ekziston, që strukturat partiake nuk funksionojnë, që mendimi kolegjial nuk merret në konsideratë, që vendimmarrja për të gjitha problemet bëhet nga një njeri dhe ky është z. Rama”, u shpreh Sulçe.
Ish-kreu i Lezhës: “Më kanë përjashtuar nga lista”
Ish-kreu i Partisë Socialiste në Lezhë, Ndoc Lleshi, nuk është lejuar që të votojë për delegatët që do të përfaqësojnë Lezhën në Kongresin e nëntorit. Pasi ka mësuar se nuk ishte pjesë e listave të anëtarëve në votim, Lleshi ka deklaruar se kjo është një filozofi që investohet nga drejtuesit e Partisë Socialiste në qendër dhe është një farsë e radhës e Partisë Socialiste.
Menjëherë ka reaguar deputeti socialist Gjovalin Kadeli, sipas të cilit, “deklarata të tilla janë individuale, dhe jo në emër të Partisë Socialiste, ndërsa ka deklaruar se nuk ka pasur largime, por vetëlargime nga radhët e PS–së në Lezhë. Ndoc Lleshi është larguar para votimeve për zgjedhjet vendore, ku ai nuk ka qenë as pjesë e stafit të PS–së në mbështetje të kandidatit Gjok Jaku, por ka qenë mbështetës i kryebashkiakut aktual Viktor Tusha, që përfaqësonte LSI–në”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











