Zgjedhjet e 8 majit, rikthehen në Grupin e PD dy ish-deputetë

Mar 25, 2011 | 10:27
Kosta Barka, Ndriçim Babasi, Aurel Bylykbashi

Kandidimi i Lulzim Bashës, Ferdinand Xhaferrit dhe Ardian Kollozit ka sjellë disa lëvizje në Grupin Parlamentar demokrat. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor ka ndryshuar edhe mënyra e zgjedhjes së deputetëve në rast se njëri prej tyre e lë mandatin në mesin e tij. Deri në vitin 2005, nëse një deputeti i ndërpritej mandati, zhvilloheshin zgjedhje të pjesshme, ndërsa tani në Parlament shkon deputeti i parë nga lista që është pranë vizës që ndan fituesit nga humbësit. Në qarkun e Durrësit, pas largimit të Ferdinand Xhaferrit, vjen në Parlament Ndriçim Babasi, i cili në zgjedhjet e vitit 2009 kandidoi në zonën e Fushë-Krujës. Babasi ka qenë dy herë deputet, në vitin 2001 dhe 2005, ndërsa dy vjet më parë u rendit i teti në listë, teksa i duheshin rreth 2 mijë vota më shumë nga ato që mori për t’u futur në Parlament. Në qarkun e Elbasanit largohet kreu i listës, Lulzim Basha dhe në vendin e tij futet në Parlament deputeti që renditej i 8-ti, Aurel Bylykbashi. Ish-kreu i degës së PD-së së Elbasanit, Bylykbashi, e mori mandatin e deputetit në vitin 2005, ndërsa në 2009-n, pasi nuk u fut në Parlament, mbajti postin e drejtorit të Drejtorisë Detare në Durrës. I rikthyeri i tretë në Parlament, falë ndryshimit të listës, është Kosta Barka. Ai do të zërë vendin e kreut të degës së PD-së së Vlorës, Ardian Kollozi. Barka ka qenë ministër nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Në vitin 2009 kandidoi me PD-në dhe ishte i pesti në listë, pa mundur të futej në Parlament. Nga zgjedhjet e fundit deri sot ka mbajtur postin e nëndrejtorit të Hipotekave.

© Panorama.al

Te lidhura