Zgjedhjet brenda PS, Rama mbledh deputetët

Oct 1, 2011 | 11:00
Rama në mbledhjen e grupit parlamentar

Kreu socialist mblodhi dje në selinë rozë deputetët të ndarë sipas qarqeve, lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor në strukturat e PS. Të ndarë sipas qarqeve e duke marrë në patronazh zona të caktuara, deputetët e PS kanë ndjekur analizat që janë bërë në organizatat socialiste dhe zgjedhjet e kryetarëve të to. Deputetët socialistë kanë raportuar për zhvillimin e analizave, por dhe mendimet e bazës socialiste lidhur me kursin e ri të PS në Parlament dhe jashtë tij. Pas analizës, në PS procesi do të vijojë dhe me zgjedhjet e kryetarëve të njësive bashkiake, bashki, komunë, përmes parimit “një anëtar, një votë” dhe të delegatëve të kongresit që do të mbahet brenda muajit nëntor.
Por, në bazë të Statutit të Partisë Socialiste, drejtuesit që kanë humbur në zonat e tyre elektorale, apo ata që kanë marrë rezultat më të dobët se zgjedhjet e kaluara, nuk kanë të drejtë të rikandidojnë për të njëjtat poste në zgjedhjet që do të mbahen më 25 tetor. Ky i fundit do të zgjedhë Asamblenë Kombëtare, e cila më pas do të rinovojë Kryesinë dhe Sekretariatin, mandati i të cilave ka përfunduar. Kryesocialisti, gjatë paradites së djeshme mblodhi dhe Kryesinë e Grupit Parlamentar dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Java që po shkon dhe aktiviteti parlamentar i javës së ardhshme ishte në qendër të takimit. Mësohet se PS do të fokusohet në Parlament te paketa me 10 pika për integrimin dhe interpelancat me ministrat e qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura