Zgjedhja e delegatëve, PS: Pjesëmarrje maksimale

Oct 23, 2011 | 12:53

Partia Socialiste tha sot se në zgjedhjet për Kongresin të një dite më parë kanë votuar 57.140 anëtarë të Partisë Socialiste, ku janë zgjedhur 865 delegatë, nga të cilët 344 janë gra dhe vajza.

Në një deklaratë për shtyp, deputeti Blendi Klosi tha se kjo pjesëmarrje vlerësohet si maksimale.

Duke iu referuar këtyre shifrave, Klosi tha se kjo është demokracia në Partinë Socialiste, ndërsa numri i madh i vajzave dhe grave delegate tregon frymën emancipuese të PS- së për një Shqipëri të ekuilibruar.

Klosi i është përgjigjur edhe zërave nga brenda Partisë Socialiste për mungesë lirie në këtë parti.

“Kush ankohet për mungesë lirie nuk di ç’të bej me lirinë. Kush do të bëjë diçka ja ku e ka lirinë”- tha Klosi.

Sipas tij, Partia Socialiste është e vetmja forcë politike ku liria punon dhe garanton çdo anëtarë në lirinë e vet.

Lidhur me Kongresin e datës 5 nëntor, Klosi shtoi se “Kongresi i sapozgjedhur ka një mandat të fortë për të berë zgjedhjet e duhura politike, ka barrën e rëndë të vënies së mandatit të vet në shërbim të shqiptarëve”

Kjo tha ai, në mbështetje të palëkundur të interesave të shqiptarëve të marrë peng nga pushteti i korrupsionit dhe i plehrave që po mbysin vendin tonë.

© Panorama.al

Te lidhura