Zeqo: KESH, qendër monitorimi për gjithë hidrocentralet

Apr 30, 2011 | 9:05

Një forum mbi energjinë i është bashkangjitur dje panairit për këtë sektor. Në forum morën pjesë zëvendëskryeministri, Edmond Haxhinasto, drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Ëngjëll Zeqo, kreu i CEZ Shpërndarjes, Josef Hejsek, si dhe kreu i OST-së, Sokol Ramadani. Zëvendëskryeministri Haxhinasto në fjalën e tij theksoi se Shqipëria duhet të përqendrohet në objektivin për t’u kthyer një vend eksportues i energjisë. Nga ana tjetër, drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenya Lvovsky, vlerësoi partneritetin që ka BB-ja në kuadër të programeve të energjisë në vendin tonë. Këtë bashkëpunim e konfirmoi edhe kreu i KESH-it, Ëngjëll Zeqo, duke u ndalur tek programi për rritjen e sigurisë së digave. “Projekti në vlerë totale shkon rreth 70 milionë euro dhe garanton rritjen e sigurisë së digave në kaskadën e lumenjve Drin dhe Mat. Ky është një projekt që po implementohet, një tjetër risi që do të zhvillojë KESH-i është edhe ngritja e një qendre monitorimi, që do të mbikëqyr në kohë reale ecurinë e të gjithë elementeve si prodhimi, efiçenca, funksionimi i punës në hidrocentrale”, tha Zeqo.

© Panorama.al

Te lidhura