Zeqo-Duro “qajnë” golin e anuluar: Ishte i rregullt

Oct 3, 2011 | 13:20

Trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, ka kritikuar indirekt arbitrin e ndeshjes, i cili sipas tij, anuloi një gol të rregullt. Sakaq, tekniku thekson se skuadra e tij dominoi takimin edhe pse nuk arriti që të merrte rezultatin e dëshiruar. “Mund të them se skuadra luajti mirë. U ndëshkuam shpejt dhe kjo ndikoi në lojën tonë, por përgjithësisht jam i kënaqur me reagimin e mëpasëm. Ne e dominuan ndeshjen, paçka se në fund nuk arritëm të merrnim atë që donim, pra fitoren”, pohoi Duro. Njëshi i pankinës korçare ka prekur më pas golin e Muzakës, si dhe faktin e mos-shënimit të golave nga ana e sulmuesve. “Në fraksionin e dytë të lojës luajtmë më mirë, madje edhe e barazuam rezultatin me Muzakën, por arbitri e anulloi golin. Unë nuk para merrem me gjykimet dhe nuk më pëlqen të bëj polemika, por nga pozicioni ku isha, them se Muzaka ishte në pozicion të rregullt. Më pas, u bë shumë e vështirë marrja e të paktën një pike, pasi Laçi u mbyll në portë dhe nuk linte hapësira pas. Për sa i përket sulmit është e vërtetë që nuk ka shënuar, por ama kanë krijuar volum loje”, tha Duro. Ndërsa, disi më i ashpër ka qenë presidenti Agim Zeqo, i cili ndonëse nuk ka përmenduar emër, indirekt ka fajësuar goleadorin, Daniel Xhafaj. “Ndeshja për nga mënyra sesi u luajt duhet të ishte mbyllur minimalisht barazim. Pësuam një gol që në minutën e tretë dhe na u anullua një tjetër, që sipas meje, ishte i rregullt. Gjithsesi, skuadra luajti mirë dhe në veçanti më pëlqeu loja e Kërçikut, Orelesit dhe Bratiçit. Gjithsesi, dua të theksoj se kemi ende probleme në sulm. Dy sulmuesit tanë kryesorë nuk po zhbllokohen dot, dhe ajo për të cilën nuk më vjen mirë është fakti se nëse vjet ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit, sivjet në katër takime nuk ka bërë asnjë gol”, ka përfunduar Zeqo.

Nevil Dede
Trajneri i Laçit, Nevil Dede, më shumë se lojën e skuadrës, ka vlerësuar faktin e marrjes së trepikëshit të parë për këtë sezon. “Më bëhet qejfi që djemtë arritën më në fund të fitonin dhe e vura re që ata u gëzuan shumë pas përfundimit të takimit, por më duhet të them që ndeshja ishte me dy tablo. Një pjesë e parë shumë e mirë për ne, por në pjesën e dytë skuadra ra nën presion, ndoshta kjo edhe e paqëllimtë, sepse pësuam një gol që mund të ishte i evitueshëm. U munduam të mbroheshim mirë dhe nuk duhet të harrojmë që përballë kishim një kundërshtar të fortë si Skënderbeu”, pohoi Dede.

© Panorama.al

Te lidhura