Zelensky: Nuk ka pasur kurrë mundësi më të mirë se tani, për të ndalur luftën

Dec 2, 2025 | 18:05

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nuk ka pasur “kurrë” mundësi më të mirë se tani për ta arritur një marrëveshje për të ndalur luftën e Rusisë ndaj vendit të tij, teksa i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, mbërriti në Kremlin për bisedime për një propozim për paqe të hartuar nga Shtetet e Bashkuara.

zelensky3-xrm

Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, fluturuan për në Moskë më 2 dhjetor për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin dhe negociatorët rusë, pas një propozimi fillestar 28-pikësh nga SHBA-ja – i cili kryesisht shihej si i përputhshëm me qëllimet ruse për pushtimin e plotë të Ukrainës – që u “përmirësua” në 19 pika pas bisedimeve midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase javën e kaluar.

Por, disa çështje kryesore në tryezë, duke përfshirë fatin e një pjese të rajonit të Donbasit të Ukrainës, synimet e Ukrainës për t’u futur në NATO dhe kufizimi për madhësinë e forcave të armatosura të Kievit, duket se mbeten të pazgjidhura.

“Tani, më shumë se kurrë, ka mundësi për ta ndalur këtë luftë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Dublin, pas takimit me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, më 2 dhjetor.

“Detyra jonë e përbashkët është të ndalim luftën, jo vetëm të arrijmë ndërprerjen e armiqësive. Kërkohet paqe e dinjitetshme. Për ta arritur këtë vërtet, të gjithë duhet të jenë në anën e paqes”, shtoi ai.

Witkoff hyri në oborrin e Kremlinit më 2 dhjetor i shoqëruar nga Kirill Dmitriev, i dërguari i posaçëm i Putinit për investime dhe bashkëpunim ekonomik, i cili ka udhëhequr bisedimet për Moskën.

Ky do të jetë takimi i gjashtë i Witkoffit me Putin që nga janari.
Ukraina ka shprehur hapur shqetësimin se Uashingtoni dhe Moska mund të pajtohen për një plan për të ndalur konfliktin më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Trump bëri fushatë në vitin 2024 duke pretenduar se mund ta ndalë luftën brenda 24 orësh, por arritja e një marrëveshjeje për të ndaluar pushtimin e plotë të Ukrainës – që Moska e nisi në shkurt 2022 – del të jetë shumë e vështirë.

Disa nga veprimet e mëparshme të Witkoffit kanë ngritur alarme tek vëzhguesit e jashtëm, të cilët frikësohen se ai po manipulohet ose se nuk kupton thellësisht kontekstin e ndërlikuar historik të luftës.

Witkoff ka përdorur përkthyes të siguruar nga Kremlini për bisedimet e tij me Putin dhe zyrtarë të tjerë, në vend që të përdorte përkthyes të autorizuar nga Ambasada e SHBA-së.

Pas takimit të fundit të Witkoffit me Putin në gusht, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thanë se ai nuk kishte kuptuar mirë gjeografinë e territorit ukrainas që Putin po pretendonte.

Disa media cituan burime që thanë se Witkoff dhe Kushner mund të takojnë Zelenskyn pas bisedimeve në Kremlin.

Zelensky tha se pret të marrë lajme nga ekipi amerikan menjëherë pas bisedimeve në Moskë dhe se mbetet i gatshëm të takojë Trumpin, në varësi të rezultateve të diskutimeve të 2 dhjetorit./REL/

© Panorama.al

Te lidhura