Zelensky: Evropës i duhet vullnet politik për të ndërprerë lidhjet me Rusinë

Oct 2, 2025 | 19:07

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke iu referuar veprimeve të fundit të Rusisë, të cilat i cilësoi si “gjithnjë e më shkatërruese”, deklaroi se siguria e Evropës varet sot më shumë se kurrë nga vullneti politik dhe veprimi pa vonesa.

zelensky

“Është e qartë se vetëm veprimi i përbashkët dhe përpjekjet e koordinuara mund të garantojnë siguri reale. Asnjë vend nuk duhet të mbetet i vetëm përballë kësaj kërcënimi,” tha ai, sipas asaj që raporton gazeta britanike The Guardian.

Zelensky theksoi se Rusia po bën “shumë gabime” dhe se është momenti i duhur për të shtuar presionin ndaj saj.

“Duhet ta rrisim presionin tani, në mënyrë që të detyrohet të ndalojë luftën dhe të ndryshojë kursin e saj politik,” tha presidenti ukrainas.

Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë presion ndaj vendeve si Hungaria dhe Sllovakia, të cilat vijojnë të importojnë energji nga Rusia.

“Çdo lidhje me Rusinë mund të përdoret kundër jush. Sa më pak lidhje me Rusinë, aq më e sigurt është jeta – dhe jeta duhet të mbrohet,” deklaroi Zelensky.

Në përfundim, ai nënvizoi rëndësinë që ka për të ardhmen e rajonit anëtarësimi i Ukrainës dhe Moldavisë në Bashkimin Evropian.

© Panorama.al

Te lidhura