Zbulohet vrasësi i taksistit dhe rojes së karburantit

Oct 20, 2011 | 12:01
Taksisti i vrarë, Urim Begu

Njëri nga vrasësit e taksistit Urim Begu të vrarë një vit më parë ka vdekur, ndërsa bashkëpunëtori i tij u arrestua dje nga policia e Tiranës. Një vit pas masakrimit të taksistit nga Tirana, Policia deklaroi dje se ka vënë në pranga të dyshuarin Jurgen Kule, 19 vjeç, nga Libofsha e Fierit. Bashkëpunëtori i tij në grabitjen dhe vrasjen e taksistit sipas drejtorit të policisë së Tiranës Sajmir Muçaj, ka kryer vetëvrasje pak kohë më parë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muçaj, njoftoi dje arrestimin e bashkautorit të vrasjes së dyfishtë, i cili është 19-vjeçari Jurgen Kule nga fshati Libofshë i Fierit. Sipas Muçajt, është dashur një punë njëvjeçare hetimi, e shtrirë në Tiranë, Kavajë e Fier për të zbardhur grabitjen me pasojë vdekjen e taksistit 48-vjeçar Urim Begu dhe vrasjen e rojës së karburantit, Petraq Mihali. Dy vrasjet kanë ndodhur në një hark kohor prej një ore, e para në Kavajë dhe tjetra në fshatin Plug të Lushnjës. Sipas Policisë, dy ngjarjet janë kryer nga të njëjtët autorë, Jurgen Kule, 19 vjeç, i arrestuar dhe Edison Lleshi, 17 vjeç, tashmë i vdekur pas vetëhelmimit me fostoksinë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, autorët e ngjarjes kanë hipur si klientë të taksinë e Urim Begut në Tiranë, me qëllim grabitjen e tij dhe më pas e kanë vrarë atë në afërsi të Kavajës. Më pas, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me automjetin e vjedhur dhe kanë ndaluar për të furnizuar makinën në një pikë karburanti, ku dhe kanë vrarë me armë zjarri rojën Petraq Mihali, 55 vjeç. Ndryshe nga vrasja për grabitje e taksistit Begu, sipas grupit hetimor, roja i karburantit, Mihali, është vrarë për të fshehur gjurmët e krimit, pasi ai mund të ketë parë njollat e gjakut në taksinë që kishin vjedhur autorët.
ZBARDHJA E NGJARJES
Policia e Tiranës, Komisariati i Kavajës, në bashkëpunim me  Drejtorinë e Krimeve të Rënda, Policinë e Fierit dhe Prokurorinë e Kavajës, kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes së taksistit Urim Begu dhe rojës së karburantit, Petraq Mihali, ngjarje të ndodhura më datë 13 tetor 2010. Sipas Policisë, të dyja vrasjet janë kryer nga të njëjtët autorë brenda një ore, në qytetin e Kavajës dhe në fshatin Plug të Lushnjës. Për zbulimin e ngjarjeve, është ngritur një grup i posaçëm hetimor që nga një punë njëvjeçare me përdorimin e metodave speciale të hetimit të krimit, ka arritur të zbardhë tërësisht autorësinë dhe mekanizmin e ngjarjeve. “Dyshohet se zanafilla e kësaj ngjarjeje ka qenë grabitja e taksistit Urim Begu, ku autorët kanë hipur në automjet në Tiranë dhe, pas mbërritjes në Kavajë, kanë grabitur dhe vrarë të ndjerin Urim Begu. Më pas, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me automjetin e vjedhur dhe kanë ndaluar për të furnizuar automjetin në një pikë karburanti, ku kanë vrarë me armë zjarri rojën e këtij karburanti, shtetasin Petraq Mihali. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Jurgen Kule në fshatin Libofshë të rrethit Fier, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri “Pistoletë” model 54 dhe një krehër me 5 copë fishekë. Arma është përdorur në dy vrasjet e sipërpërmendura, kjo pas aktit të ekspertimit të bërë në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, ku gëzhojat e gjetura në dy ngjarjet ishin të qitura nga arma e sekuestruar në banesën e Jurgen Kules”, deklaroi dje drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muçaj. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy celularë, që i përkisnin taksistit të vrarë Urim Begu.

Itinerari i “klientëve vrasës”,  taksisti nga Tirana në Kavajë
Mbrëmjen e datës 12 tetor 2010, taksisti Urim Begu është telefonuar nga dy klientë, që tashmë është provuar të jenë autorë të vrasjes, që të shkonte deri tek shkolla “11 Janari” në Tiranën e Re, sepse donin të shkonin deri në Kavajë. Këtë fakt e ka konfirmuar të nesërmen, më 13 tetor, djali i taksistit, i cili ishte lajmëruar nga i ati se do të bënte një rrugë, por nuk i përgjigjej më telefonatave të tij. Ndërsa disa taksistë, që qëndrojnë në të njëjtin vend me Begun, i cili punonte me taksi vetëm natën, kanë treguar në polici se në makinën e tij kanë hipur dy persona, rreth orës 22:30. Ai u ka thënë që ka një rrugë të gjatë për të bërë me makinën e tij “Benz C Klas”, ngjyrë e verdhë me targë TR 217 C, por pa u treguar se ku do të shkonte. Nga hetimet ka rezultuar se taksisti Begu ka pranuar ta bëjë rrugën Tiranë–Kavajë, për 2 mijë lekë të rinj. Rreth orës 01:00, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Dautajve”, në rrugën që lidh Kavajën me Rrogozhinën, Begu është vrarë nga “klientët” e tij. Autorët, pasi e kanë qëlluar për vdekje duke e goditur dy herë nga pjesa e pasme e sediljes, e kanë hedhur taksistin në anë të rrugës dhe me makinën e tij kanë vazhduar rrugën në drejtim të Lushnjës.

Bashkautori i vrasjes u vetëhelmua
Më 18 shtator të këtij viti, policia e Fierit, e lajmëruar nga disa kalimtarë, zbuloi trupin e pajetë të një 17-vjeçari, i cili më pas rezultoi të ishte i vetëhelmuar. Viktima ishte Edison Lleshi, nga fshati Libofshë i Fierit, që sipas Policisë është personi që ka shkrepur armën për vrasjen e taksistit Urim Begu dhe rojës së karburantit, Petraq Mihali. I riu kishte ikur dy ditë më parë nga banesa dhe më 18 shtator është gjetur nga kalimtarët e rastit në një kanal, në fshatin Gradishtë të rrethit të Lushnjës. Pas ekspertimit mjekoligjor, rezultoi se i riu është vetëhelmuar me fostoksinë, por njëkohësisht rezultoi të ishte edhe përdorues i substancave narkotike. Sipas të dhënave nga banorë të zonës, viktima banonte në fshatin Libofshë, në një familje me probleme sociale dhe ekonomike. Kjo mendohet të ketë ndikuar në gjendjen emocionale të tij. Policia e Fierit mori në pyetje edhe familjarët e 17-vjeçarit, të cilët deklaruan se kohët e fundit djali i tyre po kalonte një situatë të rëndë depresive.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura