
FSHF synon të emërojë në krye të pankinës kuqezi një trajner të ri në moshë, që të mos ketë kërkesa të larta ekonomike dhe të pranojë të qëndrojë gjatë gjithë kohës në Tiranë. Janë këto pak a shumë kushtet e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për emrin e ri që do të drejtojë Kombëtaren në edicionin e ardhshëm. Burime pranë kreut të institucionit të futbollit tregojnë për “Panorama Sport” se eksperienca e keqe me problemet shëndetësore të dy trajnerëve të huaj në vitet e fundit (Bariç dhe Kuzhe), e ka bindur atë se në krye të pankinës nuk do të jetë më një “plak”. Kjo do të thotë që Shqipëria pritet që të zgjedhë një trajner, që të mos t’i kalojë të 50-at. Si për ironi të fatit, në edicionet e fundit Shqipëria ka vuajtur me kroatët Oto Bariç dhe Josip Kuzhe. I pari, ndoshta edhe nga mosha e madhe që kishte, nuk e drejtoi skuadrën në sfidën kyçe ndaj Sllovenisë, pikërisht prej problemeve shëndetësore që pati. E njëjta gjë ndodhi me Kuzhenë, i cili në fakt e pësoi edhe më keq. 58-vjeçari vuajti nga një hemorragji cerebrale në tru dhe rrezikoi shumë. Kuzhe nuk e drejtoi Kombëtaren në sfidat ndaj Bosnjës dhe Bjellorusisë. Duka është i predispozuar për të gjetur një trajner të lirë nga ana financiare. Për këtë janë disa arsye dhe së pari lidhet me buxhetin, teksa në edicionin e ardhshëm FSHF pritet të përfitojë pak nga e drejta televizive. Sipas të njëjtave burime, mendohet se FSHF nuk jep më shumë se 300 mijë euro në edicion për trajnerin e ri. Kushti i presidentit Duka është për një kontratë 2-vjeçare (kaq zgjat edhe edicioni), e cila mund të rishikohet vetëm në varësi të rezultateve, ashtu siç ka ndodhur së fundmi me trajnerët. Vetëm në rast se arrihet një akord paraprak me ndonjë emër bindës, atëherë FSHF-ja mund të bëjë ndonjë sakrificë financiare. Gjithsesi, ka pak gjasa që të ndodhë kështu. Qoftë i huaj apo edhe shqiptar që jeton prej vitesh larg atdheut, duhet të qëndrojë gjatë gjithës kohës në Tiranë, nëse pranon të firmosë me FSHF-në. Presidenti Duka nuk pritet të tolerojë në këtë aspekt, teksa është i gatshëm t’i sigurojë një apartament trajnerit të ri, ashtu siç ndodhi me Kuzhenë, në mënyrë që ai të jetë “full-time” në Shqipëri. Ky është një kusht, i cili shikohet si shumë i rëndësishëm. Megjithatë, trajnerët mund të stepen jo pak nga kjo kërkesë e kreut të federatës. Duka nuk kërkon të nxitohet në zgjedhjen e trajnerit të ri, edhe pse koha nuk pret. Më 11 dhe 15 nëntor Shqipëria do të luajë dy miqësore, fillimisht me Azerbajxhanin e më pas me Maqedoninë.
Hasi do 20 mijë euro në muaj,FSHF refuzon
Besnik Hasi vazhdon të jetë në “pole-position” për të marrë drejtimin e Shqipërisë, por janë ende disa detaje të rëndësishme të kontratës, të cilat nuk kanë gjetur konsensusin e palëve. Nga sa mësohet, në kontaktet e para që presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka pasur me ish-kapitenin, ky i fundit i ka bërë këtë kërkesë: “Pranoj të marrë drejtimin, vetëm nëse paga ime shkon te 20 mijë euro në muaj”. Mirëpo, kjo kërkesë është refuzuar menjëherë nga Duka, i cili synon që trajneri i ri të mos ketë një rrogë kaq të lartë. Në bisedat e tjera që kosovari ka zhvilluar me kreun e FSHF-së, mësohet se i ka ulur ndjeshëm pretendimet financiare, ndaj mund të marrë 15 deri në 17 mijë euro në muaj.
Kuman kërkon kohë, FSHF s’ka interes
Edhe pse në institucionin e futbollit shqiptar kërkojnë që gjithçka të mbahet e fshehtë, është fakt se holandezi Ervin Kuman mbetet një alternativë serioze për të marrë drejtimin e Kombëtares kuqezi. Burime pranë zyrës që menaxhon trajnerin holandez bëjnë të ditur se Kuman i ka kërkuar Dukës që ta presë deri në nëntor. Nuk dihet nëse kjo kërkesë është miratuar nga presidenti i FSHF-së, por mësohet se holandezi ende nuk e ka mbyllur kontratën me klubin e Utrehtit. Kuman pret të marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe nuk mund të vendosë menjëherë për Shqipërinë. Nga ana tjetër, FSHF nuk ka interes të presë gjatë.
JORGIS MEMO
© Panorama.al











