Kritikat e fundit të Kryeministrit te Kosoves Hashim Thaçi, drejtuar Bashkimit Europian, duket së kanë hasur në vesh të shurdhër për shumicën e shteteve anëtare të BE-së, por jo për njeriun që përfaqëson Unionin në Kosovë.
Pas deklaratave të fundit të kreut të Qeverisë se Bashkimi Europian po vonon proceset integruese të Kosovës, Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar i ka dalë në mbrojtje BE-së, duke siguruar kosovarët se përkushtimi për të ardhmen europiane të vendit mbetet i palëkundur dhe se kjo po ndodh edhe në praktikë.
“Kosova ka perspektivë europiane dhe ajo po ndodh praktikisht”, ka thënë përfaqësuesi i BE’së në një prononcim për media.
Sipas Zbogar, ndryshe nga sa mund të perceptohet në Kosovë, BE nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket perspektivës evropiane, por ky është një proces, ku një pjesë të madhe të punës e kanë vetë institucionet dhe shoqëria kosovare.
Diplomati slloven tha se të gjitha premtimet që i janë dhënë Kosovës do të mbahen. Sipas tij, në pranverë Kosovës pritet t’i jepet udhërrëfyesi për vizat, megjithëse mbesin edhe disa diskutime të fundit mes shteteve anëtare gjatë muajit maj.
“Komisionarët europianë gjatë vizitave në janar dhe mars e kanë thënë se Kosova do të marrë udhërrëfyesin për vizat gjatë pranverës dhe kjo shpresoj dhe pres të ndodhë. Megjithatë, diskutimet po vazhdojnë dhe mbeten disa diskutime të fundit gjatë këtij muaji”, ka thënë ai.
Zbogar e ka vlerësuar angazhimin dhe kurajën e institucioneve kosovare për të lëvizur përpara në agjendën europiane, por ka thënë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë.
Sipas tij, sa më shumë që Kosova futet në proceset e integrimit, aq më vështirë bëhet dhe aq më shumë kërkohet nga Kosova. Por, ka thënë ai, kjo është për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Ne do të sjellim udhërrëfyesin e vizave shumë shpejt. Studimi i fizibilitetit do të përfundoj në vjeshtë. Në anën tjetër, institucionet dhe vet shoqëria duhet të bëjnë shumë gjëra vetë për të lëvizur përpara, por jam i lumtur që sot Kosova ka angazhimin dhe kurajën për të lëvizur përpara drejt proceseve integruese”.
Por, sipas përfaqësuesit europian, Kosova nuk ka nevojë që të pres udhërrëfyesin dhe mund t’i kryej detyrat që i takojnë qe tani.
Ai vlerëson se udhërrëfyesi nuk është fundi, por vetëm fillimi i procesit dhe se pas kësaj do të jetë në dorë të Qeverisë dhe vetë Kosovës si shoqëri që t’i bëjë gjërat që i takojnë, si për gjithë vendet tjera që kanë kaluar nëpër këtë proces.
Nëse Kosova pretendon se i ka përmbushur kushtet, ka thënë ai, atëherë procesi do të jetë shumë më i shpejtë.
“Nëse Kosova thotë se tashmë është gati, unë jam i lumtur, sepse kur të vijë udhërrëfyesi ne do të jemi në gjendje që vetëm ta kontrollojmë dhe do lëvizim shumë shpejt. Por, unë nuk mendoj se duhet ta presim udhërrëfyesin, mendoj se shumë gjëra mund të bëhen tanimë që procesi pas udhërrëfyesit të jetë sa më i shkurtër”, ka vlerësuar Zbogar. (Express)
© Panorama.al











