
Kontejneri me vaj palme u kap në Belgjikë, në Shqipëri erdhi ujë
Zbardhet rrugëtimi i plotë i ngarkesës me vaj palmash ku ishin fshehur 200 kilogramë kokainë të nisur nga Kolumbia me pikëmbërritje Shqipërinë në shkurt-mars të këtij viti. Bëhet fjalë për sasinë e kokainës së shkrirë në 52 fuçi me vaj palme, vaj i porositur nga një biznesmen shqiptar në Gjirokastër. Droga u zbulua nga ana e autoriteteve spanjolle, që po hetonin një linjë trafiku Kolumbi-Europë. Më pas, mbërritja e kontejnerit ku ndodhej vaji i palmës me kokainë të shkrirë u mbajt në vëzhgim gjatë gjithë rrugës, në sajë të një bashkëpunimi të policive të vendeve përkatëse. Në Belgjikë, policia bëri zëvendësimin e kontejnerit me ngarkesë me ujë, por itinerari i tij nuk ndryshoi. Në kontejnerin e boshatisur nga droga u vendosën pajisje sinjalizuese satelitore GPS, për të mbajtur në kontroll lëvizjen e mëtejshme të tij. Versioni zyrtar i udhëtimit të drogës pasqyrohet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë në lidhje me masën e sigurisë ndaj të dyshuarit si porositësi i drogës, Dhimitros (Vullnet) Harizaj. Harizaj u arrestua më 22 mars, pas mbërritjes së kontejnerit në Gjirokastër. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, masë që u la në fuqi edhe nga Apeli i Krimeve. I dyshuari Harizaj i bëri rekurs vendimit të Apelit në Gjykatën e Lartë. Pas shqyrtimit të rekursit, pak kohë më parë, një kolegj penal i Gjykatës së Lartë e la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Harizajn. “Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë është i bazuar në ligj dhe për rrjedhojë duhet të lihet në fuqi”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Lartë. Arrestimi i Hazirajt u përcoll bujshëm mediatikisht nga Prokuroria e Përgjithshme si operacion që “bllokoi” 200 kilogramë kokainë në Gjiro-kastër. Në ditët e mëpasshme u mësua se kontejneri kishte mbërritur në Shqipëri, por lënda narkotike ishte ndalur në Belgjikë.
KOKAINA NGA KOLUMBIA
Nga aktet e administruara në dosje rezulton se sektori kundër narkotikeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, më datë 18 mars 2011, rreth orës 22:00, ka marrë një kërkesë urgjente nga Policia spanjolle, Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Drogës, me objekt bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për të goditur veprimtarinë kriminale që synonte trafikimin e një sasie lënde narkotike nga Kolumbia për në drejtim të Shqipërisë. Nga autoritetet shqiptare kërkohej që të mundësonin përdorimin e metodës “dorëzim i kontrolluar” të një sasie kokaine të dërguar nga Kolumbia për në drejtim të Shqipërisë. Nga aktet përkatëse, autoritetet spanjolle kanë njoftuar se Roja Civile spanjolle, policia në Taragona, po kryente hetime për trafik narkotikesh në ngarkim të një grupi të përbërë në shtetas kolumbianë, të cilët trafikojnë kokainë në Europë. Lidhur me këtë rast, Prokuroria pranë Gjykatës në Taragona ka hapur procedimin penal nr. 1514/2009. Në fund të vitit 2010 nga ky grup personash është mundësuar sjellja e një kontejneri në Portin e Anversës në Belgjikë, nëpërmjet kompanisë kolumbiane “C…”. Brenda kontejnerit ndodheshin 52 fuçi vaj palme që përmbante dhe kokainë të shkrirë në të, nga e cila, pas përpunimit mundet të përfitohet një sasi prej rreth 200 kg kokainë. Kontejneri kishte të dhëna përkatëse të dokumentuara. Autoritetet spanjolle kanë bashkëpunuar me Policinë belge dhe EUROPOL-in dhe, si pasojë e këtij bashkëpunimi, është mundësuar identifikimi i kontejnerit të mësipërm, ku është konstatuar prania e kokainës në vajin e palmës. Në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta, autoritetet spanjolle, më datë 10 shkurt 2011, kanë kërkuar nga autoritetet belge kryerjen e një operacioni, i cili do të mundësonte përdorimin e metodës së dorëzimit të kontrolluar të lëndës narkotike. Autoritetet belge, më datë 18 shkurt 2011, kanë informuar nëpërmjet EUROPOL-it se menaxheri i kontejnerit ka informuar autoritet doganore se ky kontejner iu shit firmës shqiptare “AE1 MERENTINO” sh.p.k., me adresë Zona Industriale Gjirokastër. Përpara saj ky kontejner ishte refuzuar për t’u marrë prej një firme holandeze për shkak se emri i personit që e kishte porositur ishte i panjohur për ta. Pas saj kontejneri u kërkua prej një firme polake, por edhe ajo hoqi dorë nga pronësia mbi kontejnerin përpara se ai t’i dërgohej asaj në adresën e dhënë.
ZËVENDËSIMI I KONTEJNERIT
Në kryerjen e veprimeve procedurale në kuadër të këtij bashkëpunimi, më datë 23 shkurt 2011, autoritetet belge kanë bërë zëvendësimin e ngarkesës së kontejnerit me ngarkesë tjetër (ujë), si dhe kanë vendosur edhe një pajisje sinjalizuese GPS brenda kontejnerit. Ngarkesa e re në kontejner nuk ka lëndë narkotike në përmbajte të saj. Më datë 16 mars 2011, autoritetet belge kanë informuar se për të marrë kontejnerin e mësipërm është paraqitur kompania maqedonase e transportit “ST…”. Transport i cili do të kryhej me kamionin me targa KU 190 CF dhe trailer KU 590 CE, si dhe drejtues i këtij kamioni ka qenë po një shtetas maqedonas me emrin S. T. Nga të dhënat e përfituara nëpërmjet GPS, ka rezultuar se kamioni ka kaluar nga Belgjika në Luksemburg, Gjermani, Austri, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe së fundi, më 20 mars 2011, nga Maqedonia është futur në territorin shqiptar nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Në kuadër të bashkëpunimit me autoritet përkatëse të këtyre vendeve, duke u konstatuar tashmë destinacioni i mjetit e, për pasojë, edhe i lëndës narkotike që ishte destinuar të trafikohej ishte Shqipëria, meqenëse ekzistonin kushtet për përdorimin e metodës speciale të hetimit për “dorëzim të kontrolluar” pas kërkesës së Drejtorisë Kundër Narkotikeve, më datë 19.03.2011, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, është autorizuar lejimi dhe kryerja e operacionit për realizimin e kësaj metode speciale të hetimit. Në po të njëjtën datë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 22 në ngarkim të personave të paidentifikuar të dyshuar se kanë kryer veprën penale “trafikim i narkotikeve, në bashkëpunim.
GJURMIMI NË SHQIPËRI
Në vijim të gjurmimit është konstatuar se më datë 19.03.2011 kamioni ka kaluar nga territori i Serbisë për Maqedoni. Gjithashtu, nga ana e autoritetit policor maqedonas janë njoftuar autoritetet policore shqiptare se rreth orës 17:30 të datës 19.03.2011, drejtuesi i automjetit S. T., i cili pasi ka hyrë në Maqedoni ka deklaruar para autoriteteve doganore se ngarkesa në kamion është tranzit për Shqipëri. Gjithashtu, sipas akteve të dërguara nga ana e Policisë spanjolle, rezulton se firma pritëse e mallit në Shqipëri është firma “I… K…” sh.p.k., e cila ka të njëjtën adresë me firmën shqiptare “AE-1 M…” sh.p.k., konkretisht Zona Industriale Gjirokastër, Shqipëri.
Më datë 21.03.2011 ngarkesa e mësipërme ka vajtur në pikën doganore të Kakavijës Gjirokastër ku janë kryer veprimet e zhdoganimit dhe po më datë 21.03.2011 ka vajtur në ambientet e firmës “I… K…” sh.p.k. me pronar shtetasin shqiptar K. K. Menjëherë pas kësaj policia ka ndërhyrë duke bërë ndalimin e personave të pranishëm në vendngjarje, përfshirë pronarin e firmës së mësipërme. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ngarkesa e mësipërme ishte porositur nga shtetasi shqiptar Dhimitros (Vullnet) Harizaj për llogari të firmës “AE-1 M…” sh.p.k., i cili gjithashtu ka bërë pagesën e mallit, ka dhënë lekët për pagesën e qirasë dhe penalitetet për vonesën e marrjes së kontejnerit në Belgjikë, si dhe ka dhënë dhe shumën e lekëve që do të shërbente për zhdoganimin e vajit të palmës në doganë. Për rrjedhojë, më datë 22.03.2011, nga prokurori është urdhëruar regjistrimi i emrit të shtetasit Dhimitros (Vullnet) Harizaj në kuadër të këtij procedimi penal për veprën penale “trafikim i narkotikeve, në bashkëpunim” dhe po me këtë datë, në orën 18:00, është ndaluar ky shtetas në funksion të po këtij procedimi.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











