Zbardhen 4 kushtet e opozitës për zgjedhjet

Oct 19, 2011 | 10:28
Dje gjate mbledhjes se tryezes se partive opozitare

Opozita e Bashkuar paraqiti dje në tryezën zyrtare të saj draftin e përgatitur nga grupi i punës për reformën zgjedhore. Skënder Gjinushi, i cili kishte punuar me demokristianin Nard Ndoka dhe Preç Zogajn, koordinator i tryezës së opozitës, paraqiti para kolegëve të tjerë opozitarë propozimet me të cilat më parë ishin njohur dhe krerët e partive të tjera. Ra në sy dje sërish mungesa e kreut të PDS, Paskal Milo, dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, të cilët kishin çuar përfaqësues të partisë së tyre në këtë tryezë. Drafti i përgatitur është konceptuar në katër shtylla dhe ka të bëjë me garancitë që opozita kërkon për një proces të lirë dhe të barabartë zgjedhor. Në përfundim të takimit, socialdemokrati Skënder Gjinushi dha disa detaje rreth draftit të punuar prej tij. “Opozita diskutoi situatën politike pas dështimit të qeverisë për marrjen e statusit kandidat. Kjo është vërtet një humbje për të gjithë, është një dështim për Shqipërinë, është dështim i shkaktuar nga keqqeverisja, nga korrupsioni i lartë qeveritar. Një nga kriteret kryesore të parealizuara, madje i dhunuar, është mosplotësimi i standardeve zgjedhore. Ndaj dhe tema e reformës zgjedhore ishte një nga pikat kyçe të diskutimit të opozitës sot. Opozita do paraqesë platformën e saj për konceptin e reformës zgjedhore, e cila duhet të shtrihet në 4 plane kryesore, me garancitë politike dhe administrative, me garancitë infrastrukturore, me rregullimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor dhe në përmirësime të sistemit zgjedhor”, u shpreh Gjinushi. Duke u munduar të shpjegojë se çfarë përfaqësojnë këto garanci, Gjinushi tha se “Garancitë politike dihet që janë shkaku kryesor i vjedhjes, manipulimit, deformimit të votës, është vullneti politik, janë politizimet e institucioneve që merren me zgjedhjet, qoftë ato direkt, qoftë ato indirekt, siç është për shembull KKRT-ja apo KQZ-ja. Pra, do të thotë që të garantohet një paritet dhe një klimë politike, e cila garanton sigurisht që votat të shkojnë në KQZ. Që garanton më në fund që Shqipëria të mos jetë e fundit në rajon në kapjen e standardeve zgjedhore”. Ndërsa kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se maxhoranca duhet të tregojë se i pranon propozimet e opozitës. “E konceptuam gjendjen si të rëndë. Saliu nuk do reformë. Por edhe ne duhet të tregohemi të fortë. Ai i ka manipuluar zgjedhjet dhe tani kërkon që nëpërmjet këtij petku manipulues të vazhdojë. Ne do t’i paraqesim opinionit publik platformën tonë, të gjitha aspektet edhe arbitrin, edhe identitetin e individit që të votojë i kontrolluar elektronikisht, edhe administrimin, edhe probleme të tjera që dalin nga drejtimi i KQZ ose një formë tjetër. Sidomos problemin e arbitrit e pamë me një sy të veçantë. Në 2009-n, ju ishit me dyshim për manipulimin kur ne kërkuam kutitë. Në 2011-n, ia provoi gjithë botës që ai i manipulon zgjedhjet. Tani do që të mos ketë garanci për zgjedhjet, do ta shikojmë si do ecë më tej. Kështu nuk hyhet në Europë”, u shpreh Ngjela.

Negociatorët
Në takimin e djeshëm të opozitës së bashkuar, ishin prezentë dhe dy negociatorët e mandatuar nga PS për bisedime me Partinë Demokratike, Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri. Pasi është prezantuar drafti i përgatitur nga grupi i punës, është vendosur që ai të rishitet dhe të paraqitet në mënyrë më sintetike dhe të përmbledhur, duke e konsideruar si një dokument ku shprehet vullneti i opozitës për reformën zgjedhore dhe angazhimi i PS për t’i përfaqësuar këto propozime dhe interesa në negociatat me PD.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura