Zani Çaushi, grushte në burg me dy të dënuar përjetë

Oct 2, 2011 | 12:52
Zani Çaushi

Izolohet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë Zani Çaushi. I forti i Vlorës, që vuan dënimin me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh të rënda është mbyllur në një prej dhomave të izolimit në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë. I transferuar prej 4 muajsh, për shkak të incidenteve të krijuara në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, në atë të Korçës, me të njëjtin nivel sigurie, Zani Çaushi bëhet përsëri protagonist i një ngjarjeje në vendin e izolimit të ri. Disa muaj pasi është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, Zani Çaushi duket se është përshtatur edhe në këtë ambient të ri, duke arritur të përfshihet edhe në një incident me grindje. Burime të brendshme të burgut bëjnë të ditur se ngjarja është regjistruar mëngjesin e djeshëm mes 3 të burgosurve, të cilët vuajnë dënimin për aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm, ku peshën kryesore të këtij sherri e ka pasur pikërisht emri i Myrteza Çaushit. Pas një grindjeje me dy të burgosur të tjerë, Çaushi, një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në vitin 1997, është çuar në izolim për dhjetë ditë, ndërsa dy protagonistët e tjerë të sherrit edhe pse jo në izolim, ruhen në masa të rrepta sigurie. Burime të rezervuara të burgut bënë të ditur se grindja mes Çaushit dhe dy të dënuarve të tjerë me burgim të përjetshëm ka nisur për përdorimin e telefonit të burgut. Sipas të dhënave, Çaushi, i dënuar me burgim të përjetshëm, është bërë protagonist i sherrit, pasi ka penguar dy të burgosurit e tjerë të përdorin telefonin për të komunikuar me të afërmit e tyre. Pa pasur asnjë bazë, ai ka kundërshtuar përdorimin e telefonit nga dy të dënuarit e tjerë, gjë që ka mjaftuar për të nisur grindjen dhe për të rrezikuar qetësinë mes gjithë të burgosurve që vuajnë dënimin në Drenovë. Ai ka hasur në pakënaqësinë e tyre, duke bërë që të nisë një sherr i ashpër mes Çaushit dhe dy të burgosurve të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Është dashur ndërhyrja e gardianëve të burgut për të ndaluar sherrin, dhe më tej i njohuri si i “forti i lagjes Çole të Vlorës” është izoluar. Nga të dhënat, sapo është sinjalizuar ky incident në burgun e sigurisë së lartë në Korçë, midis Zani Çaushit dhe dy të burgosurve të tjerë, në pak minuta janë vënë në lëvizje forca të shumta të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit. Ndonëse nga ana e autoriteteve drejtuese të këtij burgu nuk jepen të dhëna për ngjarje që cenojnë sigurinë, burimet bëjnë të ditur se Çaushi është bërë edhe protagonist i skenave të tjera. Prej ardhjes së tij në këtë burg, shpesh ai ka refuzuar marrjen e ushqimit, duke ngritur ankesa për mënyrën e gatimit apo përgatitjes së tij. Pas izolimit të të dënuarit Zani Çaushi, gjendja në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, sipas autoriteteve të tij, është normalizuar, por ndërkaq priten hetime të tjera për këtë rast. Zani Çaushi, kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës gjatë vitit 1997 akuzohet për një sërë krimesh të rënda dhe është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, pasi ka vuajtur dënimin fillimisht në burgjet e sigurisë së lartë në Peqin e Burrel.

3 TE DENUAR me burg të përjetshëm u përplasën mes tyre mëngjesin e djeshëm, për një sherr banal në kabinën e telefonit të burgut të Drenovës në Korçë. Një prej protagonistëve është Zani Çaushi, ndërsa nuk bëhen të njohur emrat e dy të tjerëve

transferimi
Në muajin qershor të këtij viti u bë transferimi i të dënuarit përjetë, Zani Çaushi, nga burgu i sigurisë së lartë të Burrelit. Vendimi u mor, pasi një muaj më parë ai ishte konfrontuar me forcat e policisë që po ushtronin kontroll në qelitë e të dënuarve për praninë e telefonave celularë. Pak javë më parë, Çaushi u transferua për në burgun e Korçës, e bashkë me të u largua nga Burreli dhe bashkëshortja me të birin e vogël.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

FUSHE-KRUJE: Të burgosurit, grevë urie për kushtet
Të burgosurit e Fushë-Krujës hyjnë në grevë urie për kushtet e ambienteve ku janë izoluar. Rreth 300 persona mësohet se kanë braktisur ushqimin në shenjë reagimi për mosplotësimin e kërkesave. Ky fakt bëhet i ditur nga vetë të burgosurit, sipas të cilëve, greva ka nisur që prej 28 shtatorit. Sipas tyre, që nga koha e tentativës së arratisjes së 4 të burgosurve, ndaj tyre janë ndërmarrë masa ekstreme, duke iu privuar një sërë të drejtash. Për mediat, të burgosurit kanë bërë të njohur se kërkesat e tyre janë jetike për kushtet e izolimit në të cilat ndodhen. Ata kërkojnë funksionimin e sistemit të ngrohjes, dusheve me ujë të ngrohtë, uljen e numrit të të dënuarve në një dhomë (nga 4 të dënuar, në qeli ndodhen nga 6 veta), rritja e sasisë së ushqimeve që pranohen nga familjarët (pasi ushqimi i burgut është jashtë kushteve higjienike), korrektesë në dhënien e lejeve si dhe shërbim mjekësor në nivelin e duhur.                                  r.n

© Panorama.al

Te lidhura