Xhaka nën akuzë, u fal gol kuqezinjve

Sep 13, 2012 | 15:39

Mediat zvicerane aludojnë për mosshënim qëllimisht të golit nga lojtari.

“Sportmediaset”: Nuk shënon para portës se ndihet shqiptar.

Mediat zvicerane por edhe ato italiane kanë akuzuar dje haptazi lojtarin e përfaqësueses helvete, Granit Xhaka, se nuk shënoi qëllimisht golin e tretë në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Xhaka pati një shans të mirë për të shënuar një gol në minutën e 85-të të ndeshjes, rast të cilin e shpërdoroi në një mënyrë të dyshimtë duke mos treguar shkathtësinë që ka, por duke qenë më pasiv pranë portës kundërshtare. Komentatori zviceran në komentin live kishte pyetur se çfarë po bën Xhaka, duke kremtuar për minuta të tëra veprimin e lojtarit. Vendësit po fitonin 2-0 dhe në atë moment Xhaka kishte në këmbë topin për golin e tretë, pasi ndodhej i vetëm përballë me Ujkanin dhe me portën thuajse bosh. Por çuditërisht sulmuesi i Borusia Mynshegladbahut doli huq. Ndërkohë një gazetë zvicerane shkruan se rezultati ishte 3 me 0, por Xhaka nuk e bëri një gol për të falur Shqipërinë që e ka në gjak. Duke aluduar në dështimin e Xhakës pranë portës së Ujkanit, Xhaka është pyetur pas ndeshjes për këtë rast, ndërsa vetë ai deklaroi: “Kjo nuk ishte lojë e lehtë për mua. U fishkëlleva për herë të parë në karrierë. Nuk është e rëndësishme a shënova unë apo jo, rëndësi ka që fituam”, deklaroi një nga tre kosovarët që luan për Zvicrën. Sakaq komentatori i ndeshjes, Sasha Raufer, ka dalë në përfundimin se Xhaka me qëllim nuk i shënoi gol Shqipërisë, gjë që sipas tij të gjithë e panë.
Edhe për publikun shqiptar ra në sy dështimi i çuditshëm i Xhakës, i cili sipas gjithë gjasave duket të ketë qenë i qëllimshëm, duke treguar se me fanellë është i Zvicrës, por me zemër i Shqipërisë. Ndërkohë më fort se mediat zvicerane e kanë komentuar këtë rast italianët e “Sportmediaset”. Në artikullin e djeshëm, kjo media aludon se Xhaka nuk ka shënuar vetëm për faktin se e ndien veten totalisht shqiptar, paçka se ai luan për Zvicrën. Në të njëjtën faqe artikulli është shoqëruar nga një sërë komentesh, pro dhe kundër Xhakës, ku kërkohej edhe një hetim për rastin në fjalë.

Shaqiri me të gërvishtura: Pjesë e lojës
Pas ndeshjes, Jahmir Hyka shkëmbeu fanellën me Shaqirin, mirëpo te ky i fundit shiheshin shenja beteje! Tri vija në qafë. Në pyetjen drejtuar futbollistit shqiptaro-zviceran se si ndodhi kjo, ai u përgjigj: “Kjo nuk ishte një mace apo diçka, por një lojtar”, tha duke qeshur Shaqiri, duke shtuar se kjo gërvishtje nuk ishte e qëllimshme. “Ishte ndeshje sportive ku patjetër që ka duele dhe ndodhin gjëra të tilla, pra gjithçka është normale”, ka pohuar lojtari.

“Shqipëria ka shanse reale kualifikimi”
Trajneri i skuadrës helvete, Otmar Hitcfled, për mediat zvicerane ka përgëzuar tifozerinë shqiptare. “Shqiptarët, njerëz të mrekullueshëm, kur dëgjova se në Luzernë ndodhen rreth 12.000 shqiptarë, nuk besova dhe qesha. Kur u afrova afër stadiumit, mbeta pa fjalë. Besojeni që 12.000 tifozë nuk udhëtojnë në një shtet tjetër për të parë Gjermaninë, Anglinë apo Brazilin.
Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme. Përfundimisht ndër tifozeritë më të zjarrta që kam parë”, tha ai. Gjermani, pavarësisht disfatës së Shqipërisë ndaj Zvicrës, beson se ekipi shqiptar mund të arrijë kualifikimin për në “Botërorin 2014”. “Shqipëria ka gjasa reale të kalojë grupin. Nuk e di pse nuk investohet në atë vend. Në të ardhmen kam dëshirojë ta vizitoj Shqipërinë”, tha ai. Hitcfeld më pas foli edhe për golin e Xherdan Shaqirit dhe rastin e humbur të Granit Xhakës.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura