Xhafaj zëvendëson Rusmalin

Oct 4, 2011 | 11:49
Xhafaj në Komisionin e Ligjeve

Ndonëse Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk kanë arritur ende konsensusin për zgjidhjen e krizës politike, duket se besimi te njëra-tjetra nuk u ka humbur ende. Kjo u pa dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, kur atë e drejtoi nënkryetari socialist i Komisionit, ish-ministri i Drejtësisë i PS-së, Fatmir Xhafa. Për shkak të një angazhimi me punë jashtë shtetit, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, nuk ishte i pranishëm, por kjo nuk e ka penguar Komisionin të zhvillojë seancën e radhës dhe të miratojë një marrëveshje me Austrinë për Gjendjen Civile. Mungesa e kryetarit duket se i ka mobilizuar të gjithë deputetët e Partisë Demokratike të ishin të pranishëm në mbledhje, ndonëse ajo, si çdo herë, fillon në orën 09:00. Në këtë mbledhja, e cila nuk zgjati më shumë se pesë minuta, që në fillim të saj ishte deputeti i PS-së, Bashkim Fino, që përmes batutës kërkoi që ajo të mos niste. “Unë them që të mos e nisim fare mbledhjen pa kryetarin (Rusmalin), nuk na shijon ajo”, tha Fino. Por Xhafa duket se nuk e dëgjoi sugjerimin e kolegut të tij dhe menjëherë ia kaloi fjalën drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti, për të folur për marrëveshjen me Austrinë. Pas prezantimit të drejtorit, Xhafa, në pozicionin e kryetarit të Komisionit, u kërkoi deputetëve të bënin pyetje ose diskutime. “Kush ka pyetje? Diskutime ka? S’paska as diskutim. I keni të qarta. E hedhim në votë, kush është dakord? Kundër ka? Jo! Miratohet”, tha Xhafa. Deputetët e PD-së votuan të gjithë pro marrëveshjes, ndërsa ata të PS-së nuk morën pjesë në votim. “Sot, me frikë kishin ardhur të gjithë deputetët e PD-së, por mirë u doli”, shtoi më tej kryetari i Komisionit, duke iu referuar faktit se të gjithë deputetët e maxhorancës ishin të pranishëm në mbledhjen e djeshme. Por, pas këtij votimi, duket se ndryshoi mendje edhe deputeti Bashkim Fino, i cili në fillim të mbledhjes kishte kërkuar të mos bëhej ajo pa ardhur Ilir Rusmali. Teksa mori fjalën për procedurë, Fino i bëri një tjetër kërkesë Fatmir Xhafës. “Unë mendoj, zoti nënkryetar, që ta drejtosh ti ngahera mbledhjen dhe arsyeja e di cila është? Se këta janë shumë të rregullt, vijnë të gjithë në rresht për një. Kur drejton Rusmali, i plas buza se nuk vijnë këta. Ca vijnë, ca nuk vijnë. Drejtoje ti që të vijnë këta”, u shpreh Fino. Këtë herë reaguan edhe deputetët demokratë, të cilët e lidhën situatën e krijuar në Komisionin e Ligjeve me konsensusin e madh mes dy partive për krizën politike. “O Bashkim, nuk mund ta drejtojë Xhafa se do të thonë që kanë arritur konsensusin pastaj”, iu drejtua Finos deputetja Mesila Doda. Megjithatë, sipas ish-kryeministrit, mungesa e Rusmalit i vuri të gjithë në rresht deputetët demokratë.

Marrëveshja me Austrinë
“Mirëmbajtja dhe mbështetja operacionale është një proces shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e sistemit online të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Për vetë kompleksitetin e këtij sistemi kërkohet një suport i vazhdueshëm nga pala austriake për periudhën në vazhdim. Kjo mbështetje operacionale do të sigurojë një funksionim të butë të sistemit dhe do të shoqërohet me transferimin e njohurive nga pala austriake në palën shqiptare”, thuhet në Marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Austrisë.

Batutat në Komisionin e Ligjeve
Bashkim Fino:
Unë them që të mos e nisim fare mbledhjen pa kryetarin (Rusmalin). Nuk na shijon ajo.
Fatmir Xhafa: Hapim mbledhjen, ftojmë përfaqësuesin e Gjendjes Civile të flasë për marrëveshjen me Austrinë.
***
Fatmir Xhafaj: Kush ka pyetje? Diskutime ka? S’paska as diskutim. I keni të qarta. E hedhim në votë. Kush është dakord? (Votojnë pro të gjithë deputetët e PD). Kundër ka? Jo! Miratohet. Sot me frikë kishin ardhur të gjithë deputetët e PD-së, por mirë u doli.
Bashkim Fino: Kam diçka për procedurë.
Fatmir Xhafaj: Për procedurë mbaroi.
Bashkim Fino: Unë mendoj, zoti nënkryetar, që ta drejtosh ti ngahera mbledhjen dhe arsyeja e di cila është? Se këta janë shumë të rregullt, vijnë të gjithë në rresht për një. Kur drejton Rusmali, i plas buza se nuk vijnë këta. Ca vijnë, ca nuk vijnë. Drejtoje ti që të vijnë këta.
Mesila Doda: O Bashkim, nuk mund ta drejtojë Xhafa se do të thonë që kanë arritur konsensusin pastaj.
Bashkim Fino: Iku Rusmali, shiko si jeni të gjithë në rresht për një.

Siguria, sot seancë me ministrin Haxhinasto
Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të thërrasë sot në një seancë dëgjimore ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe vjen pas kërkesës së bërë nga deputetët e Partisë Socialiste pak javë më parë për të thirrur në mbledhjet e Komisionit disa nga krerët e institucioneve të vendit. Një javë më parë, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ndërkohë që në listë për t’u thirrur janë edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, drejtori i Policisë, Hysni Burgaj dhe kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Gjatë ditës së sotme, në Komisionin e Jashtëm do të miratohet marrëveshja me Austrinë për Gjendjen Civile.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura