VV: Protesta e ardhshme paqësore më 22 janar

Jan 15, 2012 | 17:30

PRISHTINE- Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar sot se “protesta e ardhshme paqësore në bllokim të mallrave dhe automjeteve të Serbisë do të mbahet sot një javë, pra të dielën tjetër, me 22 janar 2012”.

Në një komunikim me median është bërë e ditur se nëse Qeveria e Kosovës nis me zbatimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë gjatë kësaj jave, natyrisht që nuk do të mbajmë protesta e paralajmëruar.

Ndërkohë VV ka sqaruar se protesta e djeshme ishte në mbrojtje të Republikës dhe për prodhime të vendit. Moto e protestës ishte: Serbia nuk kalon! Dje, kishte reciprocitet, aq sa pati protestë.

“Qeveria e Kosovës shkeli nenin 92.3 të Kushtetutës. Kapitulli VI, Qeveria e Republikës së Kosovës, Neni 92 [Parimet e Përgjithshme], 92.3. Qeveria zbaton ligjet dhe aktet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”- thuhet në komunikatën për shtyp.

Sipas VV, politika e Qeverisë së Kosovës është policore dhe kjo po e bën Policinë e Kosovës politike. Policia e Kosovës po iu bindet urdhrave politikë të kryeministrit Thaçi dhe ministrit të Brendshëm Rexhepi në kundërshtim me ligjin. “U thirrën në liri të lëvizjes, mirëpo në mënyrë të trefishtë vetë Policia e Kosovës e bllokoi lirinë e lëvizjes: në kufirin me Republikën e Shqipërisë, me post blloqe të shumta dhe me mbylljen e rrugës në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Ky ishte sulm ndaj opozitës dhe ndaj demokracisë. Kërkojmë lirimin e të burgosurve”- thuhet më tej.

© Panorama.al

Te lidhura