Vuk Jeremiç synon kreun e Asamblesë së OKB-së

May 17, 2012 | 11:04

RUBEN AVXHIU

Të hënën, Kosova dhe Serbia kryen ritualin tremujor të përplasjes në Këshillin e Sigurimit. Po kësaj here, kryediplomati i Serbisë, Vuk Jeremiç, e kishte më shumë mendjen diku tjetër. Ai po kandidon për postin e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pasi ka “larë gojën” me propagandën e zakonshme kundër Kosovës, ai ka vrapuar të vijojë fushatën e tij zgjedhore. Sipas një rregulli rotacioni, kësaj here e ka radhën…  Europa Lindore që të zgjedhë një përfaqësues të saj në postin më të lartë të Asamblesë, që ndërrohet çdo vit. Pjesa më e madhe e vendeve të Europës Lindore në bashkëpunim me BE-në kanë vendosur që t’ia lënë këtë nder historik Lituanisë, por planet e tyre po prishen nga Rusia, e cila e ka kurdisur Jeremiçin që të kandidojë.Zakonisht votohet mes shteteve të rajonit që i takon posti sipas rotacionit. Në këtë mënyrë, Jeremiç nuk do ta fitonte dot kurrë votën europiane, mirëpo Rusia ka këmbëngulur që në votim të marrin pjesë të gjitha vendet e Asamblesë së Përgjithshme. Kjo është në rregull teknikisht, por shkon kundër traditës së ndershme të OKB-së, që çdo rajon ta caktojë vetë se kë dëshiron të ketë në krye të Asamblesë kur i vjen mandati i rotacionit.
Rusia dhe Serbia shpresojnë se me ndihmën e votave të “vendeve të paangazhuara” dhe satelitëve rusë, do të mundin të përmbysin kandidatin e dëshiruar nga Europa Lindore duke i imponuar rajonit, ku jetojnë edhe shqiptarët, një përfaqësues të cilin nuk e duan.
Kjo është e padrejtë për eurolindorët dhe është e pamoralshme edhe për vetë OKB-në. Vetëm pak vite më parë Serbia u shpall fajtore për krime të tmerrshme kundër njerëzimit, të kryera duke injoruar praninë e trupave paqeruajtëse të OKB-së si dhe rezolutat e saj. OKB-ja ende nuk e ka marrë veten nga cenimi i rëndë që pësoi imazhi i saj nëpër botë.
Nuk është problemi se në krye të Asamblesë mund të vendoset një serb. Ka plot diplomatë serbë që gëzojnë respekt në rajon dhe në Europë, si fjala vjen Goran Svilanoviç, ish-ministër i Jashtëm i Jugosllavisë që sot punon për Paktin e Stabilitetit për Europën Juglindore. Problemi është një diplomat si Jeremiçi, që refuzon të dënojë krimet serbe të së kaluarës së afërt, madje përpiqet t’i justifikojë ato. Ai është një person që ka krijuar antipati jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha ish-republikat jugosllave dhe shihet nga kancelaritë europiane si arrogant dhe i pasjellshëm.
Gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm i Serbisë ai e ka radhitur vendin shpesh në krah të shteteve si Irani, Venezuela, Libia e Gedafit apo Siria e Al Asadit. Në shkëmbim të mbështetjes kundër Kosovës, Jeremiçi ka pranuar të justifikojë çdo abuzim të të drejtave të njeriut apo të së drejtës ndërkombëtare nga udhëheqës vendesh që keqtrajtojnë popullatat e tyre. Ai pret që gjatë votimit të muajit qershor të shpërblehet për këto aleanca të pashenjta.
Nuk do të ishte hera e parë që në krye të Asamblesë së Përgjithshme do të vihej një antiamerikan apo antiperëndimor. Shumica e detyrave në këtë post janë thjesht rutinore, por ka arsye se pse Diplomacia amerikane dhe ajo europiane po e sheh me shqetësim këtë zhvillim. Jeremiç ka dëshmuar edhe më parë se ka pak kujdes për interesat e njerëzimit dhe i shërben vetëm nacionalizmit serb dhe ushqyesve të saj.
Jeremiç nuk gëzon simpati as në Serbi. Ai ka luftuar në mënyrë të paturpshme kundër pavarësisë së Kosovës, por sot 90 shtete e kanë njohur republikën më të re europiane dhe vende të tjera do vazhdojnë ta bëjnë. Jeremiçi nuk i ka justifikuar dot shpenzimet e mëdha ekonomike dhe pazaret e dyshimta që ka bërë për këtë mision. Atë nuk e duan as në koalicionin e Tadiçit dhe një arsye se pse e mbështesin kandidaturën e tij në emër të Serbisë është që ta heqin qafe nga qeveria.
A mund ta dëmtojë Kosovën nga ai pozicion? I pyetur për këtë punë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha dje se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, duke e injoruar rëndësinë e zgjedhjes së Jeremiçit në krye të Asamblesë.
Analisti Janush Bugajski mendon se Jeremiçi do ta shfrytëzojë postin mbase jo aq kundër Kosovës, sesa për t’i bërë favore Rusisë, e cila, nga ana e saj, në shkëmbim do ta ndihmojë edhe më shumë për Kosovën. Në fakt, dje, ambasadori rus ishte akoma edhe më arrogant ndaj Kosovës duke e kërcënuar se nuk do të lejonte përgatitjen e luftëtarëve të opozitës siriane në kampet e Kosovës (një fantazi apo thashethem i medias që mund të jetë nisur nga vetë diplomatët rusë). Megjithatë, disa muaj më parë disa analistë hodhën idenë se Brukseli dhe Uashingtoni e kanë shtyrë vetë Jeremiçin që të kandidojë për këtë post, në mënyrë që të heqin nga kreu i Diplomacisë serbe një nacionalist të pashërueshëm. Një vit në krye të Asamblesë së Përgjithshme do të kalojë shpejt, madje mbase më shpejt se çdo t’i duhet diplomatit serb, nëse zgjidhet, për të mësuar se si ta keqpërdorë atë. Në fund mund të kujtohet më shumë si një kuriozitet biografik. Por, për hir të asaj fijeje respekti që ka mbetur për OKB-në dhe traditave të mira të bashkëpunimit rajonal, vendet e botës duhet t’ia lënë Lituanisë kreun e Asamblesë së Përgjithshme.
Ndryshe nga Serbia, që ka marrë emër për luftën e saj të egër kundër pavarësisë së popujve ish-jugosllavë, Lituania, ashtu si Kosova dhe shumë vende të tjera në Afrikë e në botë, ishte ende në robëri kur u krijua OKB-ja. Ishte e pushtuar pikërisht nga Moska, që sot në pamundësi për t’ia anuluar pavarësinë, këmbëngul t’i mohojë arritjen e parë të madhe diplomatike si shtetit i pavarur.
* (Ruben Avxhiu është kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju Jork)

© Panorama.al

Te lidhura