Biznesi përgjatë këtij viti ka preferuar më shumë që investimet t’i kryejë me burime të brendshme të tij, pra përmes fitimit dhe më pak përmes kredisë. Raporti i Bankës së Shqipërisë i politikës monetare vlerëson se kushtet shtrënguese të bankave për kreditë kanë qenë një faktor frenues. Por përkundër këtij frenimi, një pjesë e mirë e biznesit tashmë ka një borxh për të paguar. Të dhënat e vrojtimit të BSH-së nxjerrin në pah se, nga intervistat e zhvilluara, rreth 42.8 për qind e biznesit ka deklaruar që kanë një borxh për të paguar. Kështu, nëse 26.9 e bizneseve kanë preferuar që të financohen përmes shitjeve, një pjesë prej 27.3 për qind kanë preferuar që të financohen nga huamarrja si burim më vete apo i kombinuar. “Financimi i veprimtarisë së biznesit me anë të huamarrjes është kryer në një hark kohor njëvjeçar për 58.9% të bizneseve të përgjigjur, ku 20% e totalit të bizneseve kanë marrë hua në 6 muajt e fundit. Ndërkohë, pjesa e mbetur e ndërmarrjeve paraqitet me një hua të marrë brenda 5-vjeçarit të fundit”, thuhet në raportin e BSH-së. Në pjesën më të madhe, huamarrja ka pasur si synim investimet afatgjata dhe shpenzimet korrente, me përkatësisht 30.8 për qind dhe 36.3 për qind. Në përgjithësi, bizneset vlerësojnë se niveli i tyre i huamarrjes është i përshtatshëm, por tendenca e atyre që duan të marrin një borxh të ri ka ardhur në ulje krahasuar me një vit më parë. “Niveli i atyre që do të donin të merrnin më shumë borxh, ka rënë me 1.3 pikë, përqindje në një nivel prej 10.2% në gjashtëmujorin e dytë të 2010. Lidhur me planifikimin e marrjes së një kredie gjatë 6-mujorit të ardhshëm, 57.6% e totalit të bizneseve të intervistuara pohojnë që nuk kanë planifikuar një gjë të tillë për këtë hark kohor”, thuhet në raport.











