Një 25-vjeçar u vra, pasi u qëllua për vdekje me sëpatë mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Shkak i krimit të rëndë është bërë fakti se viktima i zuri rrugën me kamion një të riu që lëvizte me veturë. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, në lagjen Sauk i Vjetër të Tiranës. Viktima është Vilson Përleka, banues në Kamzë, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, Erald Sina, 21 vjeç, është vetëdorëzuar në polici rreth një orë pasi kishte ndodhur ngjarja, duke pranuar autorësinë e krimit. Burime nga Policia thanë se viktima, i cili punonte me kamion bashkë me të atin, në rrugën ku po kryhen punime për Unazën e Madhe, në zonën pas Liqenit Artificial, fillimisht është plagosur rëndë nga goditjet me sëpatë, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Forcat e policisë së Komisariatit Nr.1 dhe oficerë të seksionit Kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa autori kishte arritur të largohej me mjetin e tij tip “Benz”. Fillimisht janë shoqëruar dy persona, miq të autorit, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, por janë lënë të lirë menjëherë pas arrestimit të autorit, pasi nga deklarimet e të dyshuarit Sina ka rezultuar që miqtë e tij nuk kishin lidhje me ngjarjen. I dyshuari ka pranuar krimin, duke pohuar se e ka kryer i vetëm dhe se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër.
DESHMITARET
Personat okularë në vendin e ngjarjes së djeshme thanë se konflikti mes dy të rinjve, viktimës Vislon Përleka dhe autorit Erald Sina, ka nisur në mes të rrugës që lidh Saukun e Vjetër me pjesën e pasme të Liqenit Artificial. Vrasja ka ndodhur aty ku po kryhen punimet për Unazën e Madhe dhe, për rrjedhojë, kanë qenë të shumtë dëshmitarët që kanë parë ngjarjen. Sipas dëshmitarëve okularë, të pyetur nga policia, para se të niste debati mes të rinjve, Përleka ka qenë duke lëvizur me kamion, bashkë me të atin. Ndërsa i dyshuari ndodhej pas tij, duke pritur që të parakalonte me një mjet tip “Benz”. Për shkak të trafikut të bllokuar, i dyshuari Erald Sina ka pritur disa minuta që t’i lirohej rruga, më pas i irrituar ka zbritur nga makina duke ofenduar dhe kërcënuar viktimën që drejtonte kamionin. Ky i fundit ka zbritur në tokë dhe mes tij e autorit ka nisur një debat, fillimisht me fjalë e më pas ata janë konfrontuar fizikisht. “Pse nuk më liron rrugën? Këtu është lagjja ime”, kanë qenë disa nga fjalët që i ka drejtuar autori viktimës. Ndërsa më pas, Sina është drejtuar tek makina e tij dhe ka nxjerrë një sëpatë, me të cilën ka goditur disa herë 25-vjeçarin Përleka. Kur ai është rrëzuar i përgjakur në tokë, i dyshuari është larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes.
plagosje me arme ne eurolloto
Një person është plagosur mbrëmë me armë zjarri, rreth orës 22:00, në një eurolloto në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Pjetër Budi” të kryeqytetit. I plagosuri është identifikuar me emrin Dritan Aga, 30 vjeç. Ai është qëlluar me një plumb në shpatull dhe është dëmtuar për ndihmë mjekësore. Nga deklarimet e marra, ai i tha policisë, se nuk e dinte kush e kishte qëlluar.
ETLEVA DELIA











