
TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi pak ditë më parë “arrest me burg” për Ylli Sherifin, autorin e pagosjes së tre anëtarëve të familjes Elmazi në Tiranë mbrëmjen e 1 korrikut, dy prej të cilëve vdiqën më pas në spital. Referuar vendimit të Gjykatës, motivi i ngjarjes ishte mospajtimi i Sherifit me martesën e vajzës së tij me një nga djemtë e familjes Elmazi. Ai akuzohet nga prokuroria për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Sipas Gjykatës, “rreth orës 23:30, në derën e banesës së familjes së shtetasit Fatmir Elmazi ka trokitur shtetasi Ylli Sherifi, i cili mbante në dorë një armë luftarake tip automatik. Derën e banesës e ka hapur shtetasi Fatmir Elmazi, i cili ka konstatuar se jashtë saj ndodhej shtetasi Ylli Sherifi. Sapo ka hapur derën e banesës, shtetasi Ylli Sherifi ka qëlluar menjëherë me armën në drejtim të shtetasit Fatmir Elmazi”. Po sipas Gjykatës, më pas ai është futur në brenda në shtëpi ku ka plagosur rëndë Anife Elmazin dhe Ervin Ademin. Dy bashkëshortët Elmazi ndërruan jetë në ditët më pas në spital. a.b











