FIER – Dëshmi tronditëse në gjykatë e 42-vjeçarit nga Fieri, i cili vrau me mjete të forta tri ditë më parë babanë e tij 74-vjeçar, Koli Rrapi. Aleko Rrapi ka pranuar krimin e rëndë duke pohuar para togave të zeza se e kishte vrarë të atin me shkopin e tij. Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të arrestuarin. Asnjë familjar i tij nuk ishte i pranishëm gjatë seancës së djeshme. “Po. E vrava. Çfarë doni? E vrava se donte të më qëllonte më shkop. Unë e shtyva atë. Ai u rrëzua dhe e godita me shkopin e tij. Ai më shtyu më parë duke më thënë se ‘kush më bie në qafë, i marr jetën…’. Unë po shikoja televizor kur ai më qëlloi i pari. Pas kësaj e godita. E mora nga dhoma ku e vrava dhe e çova në dhomën tjetër. Por unë e desha babanë, prandaj i hodha pak ujë më pas se mos ishte gjallë. I fërkova këmbët me ujë të ftohtë. Jam djali i tij”. Kështu mësohet të ketë rrëfyer para trupit gjykues i arrestuari. Pas rrëfimit ai ka shfaqur ngarkesa të theksuara emocionale duke shpërthyer më pas në të qarë. Sipas dëshmisë së tij, krimi ka ndodhur rreth orës 20:00. Tashmë ai është çuar në burgun e Rrogozhinës. Ai do të jetë aty nën vëzhgimin e mjekëve, ndërsa kartela personale e tij është dërguar po në këtë burg. Aleko Rrapi ishte kthyer disa vite më parë nga SHBA, pasi i kishte mbaruar afati i dokumenteve. Pas mbërritjes në Shqipëri, ai kishte shfaqur probleme me shëndetin mendor, duke u sjellë në mënyrë agresive me të gjithë, por kryesisht me prindërit e tij. Të detyruar nga dhuna, këta të fundit i kishin kërkuar ndihmë policisë. Por blutë e kishin lënë të lirë duke arsyetuar se ai ishte i paaftë mendërisht. Krimi i rëndë, ku djali vrau të atin, ndodhi 7 ditë pasi 42-vjeçari kishte dalë nga Spitali Psikiatrik i Vlorës. m.r











