Vrau babain e dehur se rrihte nënën, gjykata liron 16-vjeçarin

Oct 14, 2011 | 10:58
Gjykata e Tiranes

TIRANE – Gjykata e Tiranës liroi nga qelia 16-vjeçarin që vrau nga pakujdesia babanë e tij pasditen e së hënës në komunën Shëngjergj të kryeqytetit. Rreth orës 17:00 të kësaj dite, Lorenc Muça po përpiqej të mbronte nënën e tij nga një armë e mbushur në duart e babait të dehur, kur një shkrehje e pavullnetshme plagosi për vdekje këtë të fundit. Një vendim gjyqësor i dy ditëve më parë liroi nga paraburgimi 16-vjeçarin Muça, i akuzuar për “vrasje nga pakujdesia” në dëm të babait të tij Kujtim Muça. Sipas Gjykatës së Tiranës, pasi janë analizuar rrethanat e ngjarjes, ka rezultuar se shkrepja, që i ka marrë jetën Kujtim Muçës, ka qenë aksidentale. Arma është shkrehur gjatë kohës që i mituri po tentonte t’ia hiqte të atit armën nga duart. Në vendimin e saj, gjykata pranoi kërkesën e paraqitur nga prokuroria që i mituri Muça të qëndrojë më masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, deri në përfundim të hetimeve. Në fjalën e tij para gjykatës, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, 16-vjeçari ka pranuar akuzën dhe ka rrëfyer rrethanat e ngjarjes, duke shfaqur pendesë për çfarë kishte ndodhur. “Nga hetimet paraprake del se viktima Kujtim Muça në përgjithësi sillej keq me bashkëshorten si dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes, duke i dhunuar, sharë, kanosur se do t’i vriste etj. Gjendja e tij shpesh ishte e alkoolizuar dhe e tillë paraqitej situata edhe më datë 08.10.2011, kur Kujtim Muca kthehet në shtëpi i alkoolizuar dhe pas një mungese prej disa ditësh. Në këtë datë, i dyshuari Lorenc Muça është kthyer në shtëpi rreth orës 17:00, pasi ka punuar. Ai ka gjetur të atin e tij, për të cilin e ëma i ka thënë se është në gjendje të dehur. Ai(i ati) ka filluar të grindet me të shoqen dhe sipas deklarimeve të bëra nga F. Muça viktima ka mbushur armën e gjahut, të cilën e kishte pa leje të organeve kompetente dhe ka kërcënuar se do te vriste atë (bashkëshorten) dhe veten e tij. Në zënie e sipër të prindërve, Lorenci ka ndërhyrë dhe atë e bir kanë filluar që të përleshen. Pas një intervali kohor prej rreth 15 minutash përleshje mes tyre, është dëgjuar një e shtënë dhe Kujtim Muça është rrezuar i gjakosur përdhe. Pas të shtënës, Kujtim Muça ka jetuar dhe pak dhe në orët e para të mëngjesit kë ndërruar jetë”, thuhej në vendimin e gjykatës.                     ar.ba

Masa e sigurisë
Gjykata e Tiranës deklaroi se në lirimin e 16-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e babait të tij ka marrë parasysh faktin se krimi nuk ka qenë i planifikuar dhe i qëllimshëm. Gjykata gjithashtu është bazuar edhe në moshën e të akuzuarit, i cili pengohet të ndjekë shkollën, në rast se ndaj tij vendoset masa e sigurisë “arrest me burg”.

© Panorama.al

Te lidhura