Vrasja te “Don Bosko”, autori në burg pa afat, pranon krimin

Oct 18, 2011 | 13:04
Vendi ku ndodhi vrasja tek rruga “Don Bosko” në Tiranë

TIRANE – Pasditen e së mërkurës Ronald (Almir) Laçe, pasi kishte qëlluar mbi dy vëllezër duke i plagosur rëndë me armë zjarri, i kishte thënë vëllait të tretë se pistoleta e tij ishte lodër. E vetëm pak sekonda më pas ai kishte realizuar qitje me të në tentativë për të qëlluar edhe të tretin. Gjykata e Tiranës caktoi “arrest me burg” për Laçen, për akuzën e “vrasjes me dashje në rrethana cilësuese” dhe “armëmbajtje pa leje”. Laçe akuzohet për ngjarjen e pasdites së 12 tetorit në lagjen “Don Bosko”, ku për shkak të një konflikti të lindur nga mosshlyerja e pagesës për blerjen e banesës së tij, ai qëlloi më armë zjarri mbi dy vëllezërit, Edmond dhe Ardian Selibasha, ku ky i fundit ndërroi jetë më pas. Sipas deklarimeve të bashkëshortes së viktimës në prokurori, ditën e ngjarjes i akuzuari Laçe kishte hedhur acid mbi tendën e ballkonit të kunatit të saj. “Pas pak Edmondi i ka thënë përsëri: ‘Ke hedhur acid. Pse e djeg tendën? Nëse do të përballesh, përballu me mua…’. Dhe Almiri, si kundërpërgjigje, e ka sharë me fjalë fyese dhe është futur brenda në apartament. Edmondi ka qëndruar jashtë së bashku me vëllain e tij Ardianin dhe po bisedonin për atë që kishte bërë Almiri. Pas gati 5 minutash ka zbritur poshtë Almiri me një pistoletë të vogël ngjyrë gri në dorë, në dukje si lodër, dhe pa thënë asnjë fjalë, ka qëlluar në drejtim të Ardianit dhe të Edmondit”, ka rrëfyer ajo. Ndërsa vëllai tjetër i familjes, A. Salibasha, për momentin e ngjarjes ka thënë se sapo ka dëgjuar se vëllezërit e tij ishin konfliktuar, ka dalë jashtë. “Ka parë Almir Laçen të qëllojë me pistoletë në drejtim të dy vëllezërve të tij. Në momentin që ai i është afruar, Almiri i ka drejtuar edhe atij pistoletën duke i thënë se është lodër dhe e ka shkrepur atë në drejtim të tij. Deklaruesi në këtë moment është ulur për t’u shmangur dhe në momentin që Almiri ka tentuar që të largohet me vrap, ai e ka kapur në trup dhe e ka qëlluar më gjunjë duke e rrëzuar në tokë”, thuhej në materialet e prokurorisë.                           ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura