
Zbulohet arma e përdorur tri ditë më parë në Tiranë në vrasjen e shtetasit Ardian Salibasha dhe plagosjen e rëndë të vëllait të tij, Edmond Salibasha. Arma është gjetur në rrugën “Don Bosko”. Pak orë pas arrestimit të autorit të dyshuar për ngjarjen, shtetasit Roland Laçej, policia gjeti pistoletën e përdorur prej tij. Arma ishte hedhur poshtë një makinë të parkuar në rrugën “Don Bosko”, pranë vendit ku ndodhi ngjarja pasditen e së mërkurës. Grupi hetimor tha se ka qenë pikërisht arma e krimit prova kryesore, pasi janë zbuluar edhe gjurmët e gishtave të personit të dyshuarit, Roland Laçej. Për sa kohë nuk ishte gjetur arma, ai nuk pranonte krimin, por 37-vjeçari ka ndryshuar qëndrim sapo mësoi se arma ishte gjetur dhe në të kishin mbetur gjurmët e tij. I arrestuari ka dhënë dëshminë e tij, duke sqaruar konfliktin njëvjeçar që kishte me vëllezërit Salibasha, për shkak të një kësti të pashlyer ende pas blerjes së shtëpisë. Laçej është shprehur se nuk ka pasur ndërmend të vriste, por armën e ka shkrepur për vetëmbrojtje, pasi e kishin gjakosur, duke e rrahur pak minuta para ngjarjes. Megjithatë, paraditen e djeshme 37-vjeçarit Laçej i janë komunikuar akuzat të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”. Policia e Tiranës dje në një deklaratë lidhur me ngjarjen, theksoi se shkak i krimit ka qenë një këst i papaguar nga Roland Laçej për blerjen e shtëpisë te vëllezërit Salibasha.
DESHMIA E AUTORIT
Në deklarimet, autori i dyshuar i vrasjes, Roland Laçej, është shprehur se deri para disa vitesh marrëdhëniet me vëllezërit Salibasha kanë qenë mjaft korrekte, duke qenë se ata ishin edhe fqinjë në të njëjtën godinë banimi. Laçej jeton në katin e tretë të godinës, bashkë me të ëmën, ndërsa një kat poshtë tij jeton Edmond Salibasha, i cili ndodhet ende në gjendje kome nga një plumb që ka marrë në zemër nga plagosja e dy ditëve më parë. “Marrëdhëniet tona deri një vit më parë kanë qenë shumë të mira. Kishim nënshkruar kontratën për blerjen e shtëpisë dhe kishim rënë dakord që pjesën e mbetur të parave, 17 mijë euro, do e paguaja pasi shtëpia të legalizohej. Për aq kohë sa ajo nuk ishte legalizuar ende, unë nuk kisha si t’i paguaja ato para. Ndërsa ata kishin disa muaj që kërkonin t’u liroja shtëpinë, duke më thënë se do m’i jepnin edhe lekët që u kisha paguar para 4 vitesh. Kjo ka qenë arsyeja që ne kemi pasur debate të herëpashershme e madje, ata edhe më kanë qëlluar”, mësohet të ketë deklaruar i arrestuari Laçej. Gjithashtu, ai ka deklaruar se armën e ka shkrepur për vetëmbrojtje, duke qenë se ata e kishin plagosur, me grushte e shqelma.
Policia
Policia e Tiranës deklaroi dje se ngjarja e ndodhur në afërsi të rrugës “Don Bosko” ka pasur motive pronësie. Vëllezërit Edmond dhe Ardian Salibasha kishin shkuar në banesën e tyre, banesë të cilën ia kishin shitur Ronald Laçejt, prej disa muajsh, dhe ky i fundit kishte dhënë vetëm një pjesë të parave të banesës, duke vonuar këstin tjetër.
“Kishin konflikte, policia u njoftua 3 herë”

TIRANE – Konfliktet e vazhdueshme që vëllezërit Salibasha kishin prej rreth një viti me Roland Laçej, personin që i kishin shitur shtëpinë dhe nuk u kthente paratë, ishin të ditura edhe për policinë. Mosmarrëveshjet mes tyre ishin përkeqësuar së fundi, pasi Edmond dhe Ardian Salibasha kishin bërë një padi civile, ku kërkonin kthimin e apartamentit të shitur te Roland Laçej. Madje, herë pas herë ka pasur edhe konflikte fizike mes tyre, për të cilat ka qenë në dijeni edhe policia. “Policia ka qenë 3 herë më përpara te shtëpia e kushërinjve të mi, pasi ata kishin konflikte të herëpashershme me autorin e krimit. Ai jo vetëm që nuk paguante paratë që u kishte borxh atyre, por bënte edhe zhurmë, nuk i linte të qetë në shtëpinë e tyre. Rolandi jetonte një kat më sipër Edmondit dhe herë pas herë vinte i pirë, kishte punët e tij, ishte i divorcuar, por pse duhej të krijonte konflikte e debate me pronarët e tij, kur u kishte edhe para borxh. Kjo ka qenë arsyeja që ata i kishin kërkuar të largohej dhe do i kthenin paratë, sepse ishte problematik, ishte bërë i padurueshëm”, u shpreh dje, Sefer Shkoza, djali i dajës së vëllezërve Salibasha.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











