Vrasja në Roskovec, autori i dyshuar refuzon të dorëzohet! Drejtori i Policisë Fier: Vijojnë negociatat! Kërcënon se do të dëmtojë veten

Jul 24, 2026 | 13:41

Drejtori i Policisë Fier, Erion Ahmeti, ka dhënë detaje të reja për situatën me autorin e dyshuar të ngjarjes së rëndë në Roskovec, i cili vijon të jetë i rrethuar nga forcat e policisë dhe nuk ka pranuar të dorëzohet.

refit buzi dhe vendi i ngjarjes

Ahmeti tha se 35-vjeçari vijon të bëjë rezistencë, ndërsa gjatë komunikimit me efektivët ka kërcënuar se do të dëmtojë veten.

“Autori i dyshuar vijon të bëjë rezistencë, duke kërcënuar: ‘Mos m’u afroni se do të vras veten’”, u shpreh drejtori i Policisë Fier.

Sipas Ahmetit, në negociatat për dorëzimin e tij nuk janë përfshirë familjarët, ndërsa policia ka krijuar një perimetër të gjerë sigurie për lokalizimin dhe menaxhimin e situatës.

“Është krijuar një perimetër i gjerë për lokalizimin e tij”, tha Ahmeti, duke shtuar se negociatat për dorëzimin po vijojnë.

35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakën, 58 vjeç, plagosi ish-vjehrrën, Belere Plakën, 55 vjeçe, dhe më pas mori peng ish-partneren e tij, të cilën e ka liruar disa orë më vonë. Policia vijon operacionin për kapjen e tij.

Prononcimi i Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues Erion Ahmeti:

Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”.

Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.

Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit.

© Panorama.al

Te lidhura