Vrasja në Korçë, njëri prej vëllezërve: Për vetëmbrojtje

Oct 21, 2011 | 10:23
Elton Belul dhe Altin Belul

Gjykata e Korçës la dje në burg dy vëllezërit që vranë në bulevardin kryesor të këtij qyteti 23-vjeçarin Dorian Kocaqi. Njëri prej autorëve, Elton Belul, 23 vjeç, ka pranuar krimin, duke pohuar se e kishte kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi është konfliktuar me 4 të rinj të tjerë. Ai pohoi në gjykatë se i vëllai, Altini, 25 vjeç, thjesht i ka ardhur në ndihmë, duke u përpjekur të ndalë sherrin. Sipas prokurorisë, Elton Belul ka marrë një telefonatë nga 20-vjeçari Ilir Mekshi, i cili i ka kërkuar të takoheshin, pasi pretendonte se i ishte vjedhur kasetofoni i makinës. Gjatë telefonatës, ai ka kërkuar me insistim  nga Elton Belul që t’i rikthente kasetofonin që i kishte vjedhur, pasi kishte bindjen se ishte pikërisht 23- vjeçari ai i cili ia kishte marrë pak ditë më parë nga makina që posedonte. Sipas po të njëjtit version, Ilir Mekshi dhe 3 shokët e tij, të identifikuar si Klodjan Xhuti, Alban Ymeti dhe viktima Dorjan Kocaqi, janë takuar me dy vëllezërit Elton dhe Altin Belul, në lagjen Nr.5 të Korçës dhe kanë nisur sherrin me njëri-tjetrin, ku ka pasur edhe goditje të ndërsjella mes palëve. Vetë i pandehuri Elton Belul ka deklaruar fajësinë e tij para gjykatës, duke specifikuar se e ka kryer krimin për vetëmbrojtje, ndërsa ka kërkuar që vëllai i tij të përjashtohet nga bashkautorësia në krim. “Vrasjen e kreva unë, jo vëllai im. Thikën e përdora unë pasi pashë vëllain e plagosur. Ata na gjuajtën nga mbrapa me armë dhe kur unë pashë vëllain e plagosur nuk e kontrollova dot veten. E pashë që ra i gjakosur dhe në atë kohë më goditën dhe mua. Kur u rrëzova gjeta një thikë me të cilën e vrava atë. Unë u nisa thjesht për t’i sqaruar, por ata nxorën thikat dhe na plagosën. Vëllain tim e qëlluan 3 herë, ndërsa mua vetëm një herë”, u shpreh dje në gjykatë 23-vjeçari.
Prokuroria nuk ka përfshirë në hetim 15- vjeçarin me inicialet N.K., i cili në deklaratën zyrtare të Policisë pak orë pas krimit ishte një prej personave të përfshirë në këtë sherr. “Në lagjen nr 5 të qytetit të Korçës dy vëllezërit janë konfliktuar me shtetasit K.XH., 20 vjeç, N.K., 15 vjeç, dhe I.M., 19 vjeç”, thuhej në deklaratën e policisë pas ngjarjes. Ndërsa emri i sjellë nga hetimet e prokurorisë si Alban Ymeti nuk përkon me asnjë prej inicialeve të emrave të sjellë nga policia.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura