Vrasja në argjendari, shoqërohen 40 të dyshuar

Oct 22, 2011 | 14:41
Policia në vendin e ngjarjes

TIRANE- Rreth 40 persona te shoqeruar ne polici, por ende asnje autori i dyshuar per krimin e mbremshen ne Tirane, kur tregtari i floririt u ekzekutua me plumb ne koke nga grabitesit e argjendarise.

Sipas policise se Tiranes, 40 personat qe jane shoqeruar dyshohet te kene informacion per ngjarjen e ndodhur, por ende nuk thuhet asgje konkrete per deshmite e as per ndonje autor te mundshem.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 te se premtes, në rrugën “Ferit Xhajko”, në anë të Unazës, vetëm disa metra larg Stacionit të Trenit. Viktima Rrapo Sinanaj, 61 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi është qëlluar me një plumb në ballë. Në përleshje e sipër, për shkak të rezistencës, autori i ngjarjes e qëlloi 61-vjeçarin me pistoletë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat të shumta nga policia për shkak edhe të zonës mjaft të populluar ku ndodhi ngjarja dhe fluksit të lëvizjes së makinave. Sipas burimeve nga grupi hetimor, vrasja është kryer për shkak të rezistencës që ka bërë pronari i argjendarisë, i cili nuk i është bindur kërcënimit të autorit për të dorëzuar paratë dhe mallin. Dyshohet se autori i ngjarjes ka vepruar i vetëm dhe pas krimit ka lëvizur më këmbë nëpër rrugicat rreth zonës ku ndodhi ngjarja. Pavarësisht se zona është e populluar, burime nga Policia thanë se nuk ka shumë dëshmitarë që kanë arritur të shohin momentin e ngjarjes dhe mund të arrijnë të identifikojnë autorin. Pasi për shkak të fluksit të lëvizjes së automjeteve, autori ka arritur të manovrojë dhe të “zhduket” me shpejtësi nga vendi i krimit. Megjithatë, grupi hetimor ka pyetur disa persona që kanë bizneset e tyre pranë dhe përballë argjendarisë që kishte me qira viktima Rrapo Sinanaj, të cilët kanë dhënë disa përshkrime për autorin. Për disa minuta, një grup ekspertësh ka verifikuar kamerat e sigurisë së dyqanit, të cilat kanë rezultuar të kenë qenë të fikura, pasi sistemi i sigurisë kishte pësuar një defekt para disa ditësh.

Dëshmitari: Autori ishte rreth 30 vjeç
Një i moshuar, i cili banon përballë argjendarisë ku u vra Rrapo Sinanaj, nuk preferoi të identifikohej, por tha mbrëmë se e ka parë të gjithë skenën se si ka ndodhur ngjarja. Dëshmitari u shpreh se çdo ditë e pinte kafen te lokali përballë argjendarisë me Sinanajn dhe ajo që i ndodhi mikut të tij duhet të zbardhet sa më shpejt nga policia dhe autori të marrë dënimin e merituar. “Doja, nuk doja, unë rastësisht isha përballë argjendarisë dhe arrita të shoh se çfarë ndodhi, edhe pse në momentin kur autori ndodhej brenda nuk po e kuptoja se çfarë po bëhej aty. Pashë që Rapo u përlesh me të, pasi ai kishte një pistoletë në dorë dhe kapërceu nga ana tjetër e banakut. Më pas dëgjova një krismë të vetme dhe autori doli me nxitim nga dyqani. Mund të them se nga paraqitja ishte rreth 30 vjeç, rreth 1.75-1.80 metra i gjatë, i veshur me xhinse dhe xhup të zi. U largua me vrap dhe pistoletën e kishte ende në dorë. Eci me vrap përgjatë trotuarit në drejtim të Stacionit të Trenit, më pas u fut në një rrugicë që ndodhet përballë Rrugës së Barrikadave”, u shpreh mbrëmë një prej dëshmitarëve të ngjarjes.

© Panorama.al

Te lidhura