
I dyshuari për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj, gjatë tentativës së grabitjes një javë më parë në Tiranë, është një 27-vjeçar nga Kosova. Nexhat Mulaj, nga komuna Skënderaj e Kosovës, është ndaluar dje nga policia nën dyshimet se ka vrarë 61-vjeçarin Sinanaj në argjendarinë e vajzës së tij më 21 tetor 2011. Policia e Tiranës, në një deklaratë tha dje se i dyshuari u identifikua duke përdorur metodat speciale të hetimit. I riu nga Kosova mësohet se është akuzuar nga dëshmitari okular i ngjarjes, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, i cili gjatë paraqitjes për njohje në ambientet e policisë, mes rreth 60 të shoqëruarve, ka identifikuar “autorin” e vrasjes. I dyshuari jetonte prej disa muajsh në Tiranë, në një banesë me qira vetëm 500 metra larg argjendarisë, ku mbeti i vrarë 61-vjeçari Rapo Sinanaj, mbrëmjen e 21 tetorit, te rruga “Ferit Xhajko”. Nga verifikimet e kryera nga oficerët e policisë, Nexhat Mulaj nuk figuron si student në Tiranë, po ashtu as i punësuar, gjë që sipas policisë ngre dyshime për veprimtarinë e tij në Shqipëri. Nga kontrolli i banesës së të arrestuarit, nuk është gjetur asnjë objekt i dyshimtë, sende të vjedhura, apo arma e përdorur gjatë grabitjes. Gjithashtu i akuzuari nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e grabitjes me pasojë vdekjen e argjendarit Rapo Sinanaj. Burimet thanë se ai ka deklaruar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë shumë larg zonës ku ai banon, edhe pse nuk ka asnjë dëshmitar për ta provuar atë që thotë.
DESHMITARI
Që nga momenti kur mbeti i vrarë Rapo Sinanaj, nga një person që tentoi të grabiste argjendarinë e tij, policia e Tiranës nisi një aksion për shoqërimin e personave të dyshuar, nga përshkrimi i dhënë prej një dëshmitari rreth 60 vjeç, i cili shprehej se e kishte parë autorin. Në bazë të identikitit të përafërt të autorit të krimit, të ndërtuar nga deklarimeve të dëshmitarit, forcat e policisë përgjatë një jave shoqëruan rreth 80 persona, të moshave 25-30 vjeç. Burimet sqaruan se për çdo person që shoqërohej për verifikim bëhej paraqitja për njohje, duke thirrur dëshmitarin okular të ngjarjes. Nga verifikimi i të gjithë personave, mësohet se dëshmitari pohoi me siguri që kosovari Nexhat Mulaj ishte ai që ka kryer vrasjen, pasi e kishte fiksuar mjaft mirë autorin kur kishte hyrë dhe kur kishte dalë. Gjatë deklarimeve të tij, dëshmitari ka pohuar se personi i arrestuar ka dalë nga argjendari pas vrasjes, duke lëvizur në këmbë për disa metra, kohë që ai ka arritur të ndjekë lëvizjet e tij. Më pas, kur ka kaluar në një kthesë, ku ndodhej një pallat, ai i ka humbur nga sytë. Sipas policisë, vetëm 10 metra nga kthesa që dëshmitari shprehet se ka humbur lëvizjet e të dyshuarit, rezulton të jetë banesa e 27-vjeçarit nga Kosova, ku edhe u arrestua.
ETLEVA DELIA











