Vrasja e sportistit, shpërblim informatorit 1 muaj pas krimit

Oct 13, 2011 | 13:02
Juxhin Guza (i pari djathtas), volejbollisti me numrin 3 me skuadrën e Teutës

Policia e Durrësit i kërkon ndihmë komunitetit për të zbardhur ngjarjen e ndodhur më 13 shtator, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë një volejbollist i “Teutës”. Një muaj pas ngjarjes që tronditi qytetin bregdetar, policia njoftoi dje zyrtarisht se do të vinte në dispozicion të informatorëve shumën prej 30 mijë eurosh, duke siguruar edhe anonimatin e tyre. “Lidhur me ngjarjen e datës 13 shtator 2011, ku në Lagjen Nr. 5 të Durrësit u qëllua për vdekje Juxhin Guza, 24 vjeç, sqarojmë se: Me gjithë punën intensive hetimore e procedurale të kryer nga strukturat e Policisë, ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit. Në funksion të zbulimit të kësaj ngjarjeje, Drejtoria e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, fton të gjithë personat të cilët kanë dijeni mbi autorësinë, rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje, ta vënë këtë informacion në shërbim të hetimit. Për këtë qëllim, në dispozicion të këtyre personave vihet shuma prej 30 mijë eurosh”, thuhej në njoftimin e policisë së Durrësit. 24-vjeçari u qëllua me armë të ftohtë në derën e pallatit të tij dhe gjeti vdekjen rreth 18 orë pas ngjarjes. Deri më tani kanë dhënë dëshminë e tyre 40 persona, ndër të cilët familjarë, por edhe trajneri e volejbollistë të ekipit ku ai luante. Këta të fundit kanë dhënë dëshminë e tyre në lidhje me konflikte të mundshme të viktimës gjatë ditëve para se të ndodhte krimi. Hetimi ka konkluduar se Guza nuk ka pasur probleme e konflikte, as personale dhe as familjare. Tashmë, hetimi i policisë ka ngecur në vend, pasi edhe dëshmitë e marra, por edhe shoqërimi i personave të dyshuar, nuk kanë nxjerrë elemente që mund të zbardhë krimin. Pas vënies në dispozicion të shumës prej 30 mijë eurove, blutë kanë shpresa se persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, do të bashkëpunojnë në shërbim të hetimit.

Kontakti me Policinë
“Për vetë ndjeshmërinë që paraqet kjo ngjarje në komunitetin e Durrësit, në dispozicion të telefonuesve vihen numrat telefonikë të drejtuesve rajonalë të Policisë Durrës: drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, në numrin 069 41 02 987; zv/drejtori i Policisë së Qarkut, në numrin 069 41 02 733”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Policisë, ku u kërkohet informatorëve të telefonojnë në këta numra të publikuar duke i garantuar ata për anonimatin.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura