
Sot mbushet plot një vit nga vrasja makabre në derën e shtëpisë së ish-kreut të komunës Tërthore, Remzi Veseli, dhe ende familjarë e të afërt nuk dinë asgjë rreth motiveve e autorëve të këtij krimi, ndër më të rëndët që ka ndodhur ndonjëherë në Kukës. Një vit pas ngjarjes, që u dënua nga të gjithë si nga opozita ashtu dhe pozita, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka mundur të ndalojë askënd si përgjegjës për atentatin me tre plumba ndaj 40-vjeçarit. Policia thotë se është angazhuar me specialistët më të mirë për të zbardhur motivet e krimit, por gjithçka ka mbetur në suazën e deklaratave. Çështja u ka kaluar Krimeve të Rënda dhe hetuesit më të mirë janë marrë me këtë çështje pa mundur ta zbardhin atë. Familjarët që do të përkujtojnë sot njëvjetorin e vrasjes së Veselit, kanë ngritur dhe varrin e tij në fshatin Morin, ku lindi dhe u rrit Veseli, dhe do të presin ngushëllime nga miq e dashamirës të tij. Për ta, as Remziu dhe as pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë pasur asnjë konflikt personal me askënd. Sipas tyre, vrasja është bërë për shkak të detyrës së tij si kryetar komune. Ndërkohë, Veseli pak ditë para vrasjes kishte shprehur ambiciet e tij për të rikandiduar për herë të tretë në komunën Tërthore. 40-vjeçari me profesion mësues, i pamartuar, njihej si një djalë i shkathët dhe me rreth të zgjeruar miqsh dhe shokësh. Në një rrëfim për “Panorama”, përpara varrit të të vëllait, Servet Veseli, vëllai i vogël i Remziut, kërkon në emër të familjes gjetjen e autorëve nga shteti.
U bë një vit qëkur vëllai juaj është vrarë. Si e konsideroni hetimin për zbardhjen e ngjarjes?
Po, sot mbushet plot një vit që neve na mungon njeriu më shtrenjtë i familjes, Remziu, i vrarë pabesisht dhe në mënyrë tinëzare nga një dorë barbare e kriminale në pragun e shtëpisë. Deri tani, shteti dhe strukturat përgjegjëse nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur këtë vrasje në derë të shtëpisë. Ne ia kemi lënë në dorë shtetit dhe nuk kemi bërë vetëgjyqësi. Ish-ministri i Brendshëm në atë kohë, Lulzim Basha, pati deklaruar se vrasja nuk është politike dhe se do të zbardhet shumë shpejt, duke kërkuar nga ne dhe PS-ja që të tregohemi të duruar dhe të mos ngutemi për pistën e vrasjes. Ne këtë kërkojmë, zbardhjen e vrasjes dhe dënimin e autorëve nga ligji.
A keni ndonjë dyshim për arsyet e vrasjes dhe autorët?
Po ta dinim, nuk prisnim policinë ta zbulonte. Ai dhe ne nuk kemi pasur asnjë konflikt personal. Ai është vrarë për shkak të detyrës si kryetar komune. Nëse do ishte ndryshe, do vritej ndonjë prej ne të tjerëve. Remziu u vra në pragun e shtëpisë së vet. Nuk është vrarë as në shtëpi të huaj, as tek prona e huaj dhe as në makinën e huaj. Ai nuk i kishte bërë asgjë të keqe askujt, veç të mira u ka bërë njerëzve.
Çfarë kërkoni nga organet kompetente?
Të vijojë puna për të gjetur sa më parë autorët e vrasjes për të shuar sadopak dhimbjen që kemi në shpirt. I bëjmë thirrje Presidentit, Kryeministrit, Prokurores së Përgjithshme, Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Policisë së Kukësit që të bëjnë të pamundurën për të zbuluar shkaqet dhe autorët e krimit. Ne si familje kurrë nuk do të reshtim në kërkim të së drejtës dhe në ndëshkimin e krimit që na goditi pa të drejtë. Jemi gati të bashkëpunojmë me organet e rendit dhe Drejtësisë për çdo gjë.

Socialistët e Kukësit: Qeveria hesht për ngjarjen
Për ngjarjen e rëndë, të ndodhur një vit më parë, ka reaguar dhe dega e Partisë Socialiste në Kukës, anëtar i së cilës ishte dhe Remzi Veseli. “Disa herë, zyrtarët më të lartë të PSSH-së u kanë kërkuar organeve kompetente që të hedhin dritë mbi këtë krim të kryer në derën e shtëpisë. Për të gjithë ne, Remzi Veseli ka qenë përfaqësuesi dinjitoz i rinisë kuksiane, një ndër drejtuesit më të aftë të pushtetit vendor në Kukës, familjar dhe njeri korrekt. Remzi Veseli nuk kishte konflikte personale në detyrën e tij si kryekomunar, por ka qenë promotor i zgjidhjes së problemeve dhe halleve të banorëve të komunës Tërthore”. Dega e PS-së së Kukësit deklaroi se heshtja e gjatë, por e turpshme e qeverisë tregon paaftësinë e këtyre organeve për të sqaruar çështjen dhe për të qetësuar sadopak familjarët.











