Vrasja e Arjan Selimit pa autor, Prokuroria e kthen në Polici

Oct 17, 2011 | 11:28
Arjan Selimi (Armand Andoni)

TIRANE – Delegohet në Polici pa autor, dosja penale për vrasjen e Arjan Selimit, 37-vjeçarit të njohur edhe me emrin Armand Andoni, për shkak të akuzave ndaj tij për trafik droge. Pak kohë para se të mbushet një muaj nga vrasja e ndodhur në Tiranë, Prokuroria dhe Policia nuk kanë arritur të gjejnë informacione apo prova që të shpien drejt autorëve apo shkaqeve të ngjarjes. Në kushtet kur dosja ka mangësi të provave për identifikimin e autorit, Prokuroria ka vendosur delegimin e materialeve në Polici për plotësim me prova. Në urdhrin e delegimit të dosjes në Polici Prokuroria mësohet se ka lënë disa detyra formale që kanë të bëjnë me mbledhjen e informacioneve mbi konfliktet e mundshme të viktimës e deri tek mundësia e implikimit të tij në trafik droge apo veprimtari tjera kriminale pas lirimit nga burgu me vendim të gjykatës së Lartë në pranverën e vitit 2011. Arjan Selimi u vra me armë zjarri më 26 shtator në mbrëmje. Autorët qëlluan ndaj tij në oborrin e pallatit tek ish-parku i Autobusave në Tiranë. Nga mënyra si u krye atentati dhe disa rrethana të tjera, policia dyshon se krimi ka qenë i paramenduar në hollësi. Sipas disa dëshmitarëve, Arjan Selimi është ndodhur në një kafene para ngjarjes dhe nga xhami ka parë dikë që e ruante. I bërë kurioz, 37-vjeçari ka dalë nga lokali dhe ka ndjekur personin misterioz, por pa ecur më shumë se 15 metra është përballur me vrasësit. Arjan Selimi i dënuar njëherë më 16 vjet burg, po rigjykohej te Krimet e Rënda me akuzën e trafikut të drogës pas shkeljeve që u gjetën në dosjen e parë. Ai ndërkohë kërkohej dhe akuzohej në SHBA për trafikimin e një sasie të konsiderueshme droge me të cilën ishte kapur në Michigan. Pasi ishte lënë në liri me kusht, Armand Andoni ishte kthyer në Shqipëri, ku përdorte emrin Arjan Selimi deri në qershor 2004, kur u arrestua nga aksioni “Kompas” kundër trafikut të drogës. Trafiku i lëndëve narkotike dyshohet se ka qenë shkaku kryesor i vrasjes, ndërsa mësohet se edhe pse kjo është pista kryesore, grupi hetimor nuk ka në vëmendje ndonjë ngjarje a person konkret. Nga dëshmitë e mbledhura hetuesit nuk kanë mundur të kuptojnë nëse 37-vjeçari ka pasur konflikte me njeri. Pas lirimit në maj 2011, Arjan Selimi bashkëjetonte me regjisoren Inis Gjoni me të cilën priste edhe një fëmijë. Në momentin e vrasjes, Arjan Selimi ndodhej në masën e sigurisë arrest shtëpie. Të nesërmen e krimit, ai duhej të paraqitej në Gjykatën e Krimeve të Rënda për seancën e radhës.

© Panorama.al

Te lidhura