Vrasja e 4 policëve, dëshmon drejtuesi i aksionit “Dajti”

Oct 8, 2011 | 12:09
Dritan Dajti në gjyq

Pesë gjyqtarët e procesit ndaj Dritan Dajtit te Krimet e Rënda, të akuzuarit për ekzekutimin e katër policëve në gusht 2009, nuk mundën dje të përmbyllnin pyetjen e dëshmitarit Arjan Muça, zyrtar i lartë në Policinë e Shtetit. Në seancën e djeshme, dëshmitari Muça, ish-shef i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, ka vijuar dëshminë e nisur një seancë më parë në lidhje me vrasjen e 4 policëve në Durrës. Ndonëse ka zgjatur disa orë, seanca me dyer të mbyllura është ndërprerë me kërkesë të Dritan Dajtit, pas pretendimeve të tij për pamundësi qëndrimi për shkak të gjendjes shëndetësore. Për këtë shkak, dëshmitarit Muça i duhet të paraqitet në Gjykatën për Krimet e Rënda edhe në seancën e së hënës. Burime pranë Gjykatës për Krimet e Rënda bënë të ditur se dje Muça iu përgjigj pyetjeve të të pandehurit Dajtit në lidhje me specifika të ndërhyrjes së agjentëve të Policisë, mesditën e 7 gushtit 2009 në Durrës. Mësohet se pyetjet e drejtuara nga i pandehuri kanë pasur të bëjnë me distancat mes njëri-tjetrit të punonjësve të Policisë në operacion, vendosjeve të tyre si edhe hollësi të tjera, kryesisht procedurale.
RRËFIMI
Një seancë më parë, Arjan Muça rrëfeu para trupës gjykuese momentet e përgatitjes për operacionin e arrestimin e të shumëkërkuarit, si edhe momentet e përballjes me Dritan Dajtin, pak sekonda pasi ai kishte qëlluar për vdekje mbi katër policët.  Fillimisht dëshmitari është shprehur para gjykatës se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë kishte mbërritur një informacion në rrugë operative që Dritan Dajti ishte përfshirë në një rrjet trafiku. Po sipas dëshmitarit, pas këtij informacioni strukturat e Policisë kishin siguruar një numër telefoni që përdorej nga i shumëkërkuari. “Atë numër e kemi vënë në përgjim, përgjim që nuk na solli rezultat”, është shprehur dëshmitari. Referuar thënieve të tij, pasi kishin lokalizuar vendstrehimin e  Dajtit, pranë pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit, kanë bërë një plan masash. “Një natë para operacionit, shkuam dhe pamë perimetrin. Përgatitëm skicat. Do ishim tri grupe. U dhashë oficerëve që do të ndërhynin edhe një foto të Dajtit”, ka pohuar dëshmitari Muça në atë seancë. Në lidhje me ditën e ngjarjes, Muça ka rrëfyer se kur kanë mbërritur në Durrës kanë qenë tre makina dhe një motor. “Unë isha me makinë. Komunikoja me personat që ishin aty me anë të celularëve. Kishim informacionin që Dajti lëvizte me një automjet ‘Touareg’ me xhama të errët dhe që qëndronte gjithmonë mbrapa. E pashë në distancë automjetin ‘Touareg’ në rrugicën pranë pistës ‘Iliria’. Mora në telefon agjentët dhe u thashë që po vinte. Automjeti ‘Touareg’ bëri një xhiro dhe ndaloi në një rrugicë pranë pistës ‘Iliria’. Unë parkova makinën. Pas pak, u thashë agjentëve të ndërhynin”, është shprehur dëshmitari. Sipas dëshmitarit, ai kishte qenë shumë pranë, në një rrugicë paralele, kur kishte dëgjuar të shtëna. Në vijim ai ka rrëfyer se kishte rendur drejt vendit, ku ka parë oficerët e Policisë të gjakosur, si edhe momentin kur i është afruar Dritan Dajtit të plagosur dhe e ka çarmatosur, duke i larguar pistoletën nga duart.                        ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura