Partia Socialiste i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të kalojë në ambiente publike rreth 20 qendra votimi në bashkinë e Kamzës, të cilat janë vendosur në ambiente private.Pas rreth një orë debatesh mes përfaqësuesve të të dyja partive dhe anëtarëve të Komisionit, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i kërkoi administratës të verifikojë pretendimet e opozitës deri të hënën, kur do të merret vendimi.
Debati
Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj, tha se propozimet që kanë ardhur nga kreu i Bashkisë, Xhelal Mziu, njëherësh edhe kandidat i PD-së më 8 maj, janë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. “Këto ambiente janë të papërshtatshme për t’u përdorur si vendvotime në zgjedhjet e 8 majit. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto vendvotime të vendosen në ambiente publike. Nëse qendrat e votimit nuk ndryshohen, do të shkaktojnë një deformim të rezultatit të zgjedhjeve në këtë bashki. Atje kemi një situatë të acaruar, ne duhet të kontribuojmë në çtensionimin e situatave”, u shpreh Gjonçaj në prezantimin e kërkesës ankimore të PS-së në KQZ. Sipas tij, “vullneti i këtij kryetari bashkie për përcaktimin e qendrave të votimit jo në përputhje me kushtet ligjore dhe në një traditë vazhduese problematike, e bën të pamundur zhvillimin e një procesi korrekt ligjor sipas Kodit. Qendrat e votimit mund të vendosen në ambiente private kur është e pamundur të vendosen në ambiente publike. Edhe në 2009-n kemi pasur një debat lidhur me këtë problem. Në 2009-n u konstatua një problematikë serioze përsa u përket qendrave të votimit. Këshillat e ndërkombëtarëve kanë qenë për të shmangur vendvotimet private”. Gjonçaj tha se disa qendra votimi janë me një sipërfaqe të vogël dhe disa të tjera kanë afër shkollat që mund të përdoren për vendvotime. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, hodhi poshtë pretendimet e PS-së duke thënë se qendrat e votimit në ambientet private për zgjedhjet e 8 majit janë të njëjta me ambientet e përdorura në vitin 2007 dhe 2009. “Qendrat e votimit janë në të njëjtat objekte ku ishte parashikuar në tetor 2010. Mendoni ç’do të ndodhë të diskutojmë sot, dy javë para zgjedhjeve, për qendrat e votimit kur qytetarët janë lajmëruar se ku e kanë qendrën e tyre të votimit. Të ndryshohet vendndodhja e qendrave të votimit është e rrezikshme. Të gjitha qendrat e votimit janë në të njëjtat objekte si në vitet 2007, 2009 dhe 2011. Nuk ka ndryshuar aspak vendndodhja e tyre”, tha Kosovrasti. Sipas tij, “po kërkohet njësoj si në 2009-n, të çorodisim të gjithë Kamzën që ditën e diel, pasi janë lajmëruar qytetarët, t’u thuhet do ta ndërrojmë qendrën. Nuk ka asnjë arsye ligjore për të ndryshuar qendrën e votimit”. Kundër qëndrimit të PD-së u shpreh edhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila theksoi se “çdo vendosje e qendrave në ambient privat bën shkelje të këtij principi të Kodit. Së dyti, fakti që ligjvënësi e trajton si rast të veçantë vendosjen e qendrave të votimit në ambiente private, ka lidhje me principin që jep Kodi në nenin 62, që ruhet vijimësia e qendrave të mëparshme. Për qendrat e Kamzës, KQZ-ja nuk mund ta japë autorizimin për vendosjen në ambientet private”.
Debati në KQZ
Genc Gjonçaj (përfaqësues i PS): Kemi kërkuar ndryshimin e qendrave të votimit, të përcaktuara nga kreu i njësisë vendore. Janë rreth 20 qendra votimi në bashkinë e Kamzës që ne mendojmë se janë vendosur në kundërshtim me kriteret e Kodit. Këto ambiente janë të papërshtatshme për t’u përdorur si vendvotime në zgjedhjet e 8 majit. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto vendvotime të vendosen në ambiente publike. Nëse qendrat e votimit nuk ndryshohen, do të shkaktojnë një deformim të rezultatit të zgjedhjeve në këtë bashki. Atje kemi një situatë të acaruar, ne duhet të kontribuojmë në çtensionimin e situatave.
Njazi Kosovrasti (përfaqësues i PD): Të ndryshohet vendndodhja e qendrave të votimit është e rrezikshme. Të gjitha qendrat e votimit janë në të njëjtat objekte si në 2007-n, 2009-n dhe 2011-n. Nuk ka ndryshuar aspak vendndodhja e tyre. Po kërkohet njësoj si në 2009-n, të çorodisim të gjithë Kamzën që ditën e diel, pasi janë lajmëruar qytetarët, t’u thuhet do ta ndërrojmë qendrën. Nuk ka asnjë arsye ligjore për të ndryshuar qendrën e votimit.
Arben Ristani: Përsa i përket parimit të vendosjes së qendrave në ambiente private apo shtetërore, Kolegji i dha të drejtë KQZ-së dhe që qendrat e votimit të jenë ato që kanë qenë edhe në zgjedhjet e kaluara. Besoj se duhet të ecim me këto parametra që janë të verifikuara nga gjykata. Duke qenë në vendet ku kanë qenë edhe në zgjedhjet e mëparshme dhe që janë brenda zonës së qendrës së votimit. Përsa u përket flamurëve, mund të dërgojmë inspektorët që t’i fotografojë dhe të bisedojë me drejtuesit lokalë për ta rregulluar.
Dëshira Subashi: Çdo vendosje e qendrave në ambient privat bën shkelje të këtij principi të Kodit. Së dyti, fakti që ligjvënësi e trajton si rast të veçantë vendosjen e qendrave të votimit në ambiente private ka lidhje me principin që jep Kodi në nenin 62, që ruhet vijimësia e qendrave të mëparshme. Për qendrat e Kamzës, KQZ-ja nuk mund ta japë autorizimin për vendosjen në ambientet private. Propozoj që administrata të na japë informacion mbi pretendimet që bën PS në kërkesën ankimore dhe në ditët e afërta t’i shqyrtojmë.
Debati për Bordin e Monitorimit
Ristani: Genci (i drejtohet Gjonçajt), si t’ia bëjmë që të na lësh të punojmë?
Gjonçaj: Po punon, por po punon mbrapsht.
Salianji: Hë mo, mirë e ka.
Ristani: Mirë e ka, ë? Po ju karagjozë jeni dhe doni ta prishni mbledhjen si karagjozë që jeni.
Gjonçaj: Karagjoz je ti.
Ristani: Mbani qëndrim korrekt, unë jam totalisht luajal.
Salianji: Ti je rrugaç, po na lër rehat tani.
Ristani: Mbyllim këtë pjesë të mbledhjes, çerek ore pushim, vazhdojmë me temën tjetër.
Subashi: Si mundet të mos i marrim në shqyrtim propozimet që bën pakica? Nuk mund të mbyllet mbledhja.
Ristani: Nuk thashë që do mbyll mbledhjen, thashë çerek ore pushim. Ke veshë ti apo s’ke?
Subashi: Ore, fol si njeri, mos më thuaj mua s’ke veshë, more i paedukatë. Nuk të vjen turp.
Tirana, 105 qendra në ambiente private
Në qarkun e Tiranës, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë në 875 qendra votimi. Sipas një projektvendimi të KQZ-së, i cili do të miratohet ditën e hënë, nga këto, 105 qendra janë të vendosura në ambiente private. Përsa i përket qarkut të Beratit, janë 324 qendra votimi dhe nga këto, 25 janë në ambiente private. “Në qarkun e Elbasanit janë 553 qendra votimi, dhe nga këto 62 qendra votimi janë krijuar në ambiente private. Në qarkun e Korçës janë 419 qendra votimi, dhe nga këto 16 qendra votimi janë të krijuara në ambiente private”, thuhet në aktin që do të miratojë KQZ-ja. Sipas Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit të ngritura në ambiente private duhet të kalojnë me vendim të KQZ-së.
Bordi, rrëzohen kërkesat ePS e LSI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar dje dy kërkesa të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me spotet që po shfaqen në fushatën elektorale. LSI i kërkoi KQZ-së që dy spotet, “Kurrë më” dhe “Kush është Luli”, të mos transmetohen më në televizione. Me gjashtë vota kundër dhe asnjë pro kjo kërkesë nuk u mor parasysh. Ndërsa përfaqësuesit e pakicës në Bordin e Monitorimit të Mediave propozuan që spoti elektoral i Ministrisë së Brendshme, ku del edhe Lulzim Basha, të llogaritet si spot elektoral i kandidatit demokrat. Argumenti i pakicës ishte se në spot del kandidati i PD-së. Me katër vota kundër dhe 2 pro ky propozim u hodh poshtë.
Qendrat e votimit, Kolegji rrëzon PS-në
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dy kërkesa të Partisë Socialiste për ndryshimin e qendrave të votimit në njësitë 4 dhe 9 në Tiranë. Pak ditë më parë, KQZ-ja pranoi kërkesat e PD-së që në Njësinë Nr. 9, dy qendra votimi, të cilave u ishte ndryshuar vendndodhja dhe kishin dalë në një bllok tjetër banimi, të ktheheshin në vendin ku ishin në vitin 2009. Pas këtij vendimi KQZ-ja gjobiti me 30 mijë lekë kreun aktual të Njësinë Nr. 9, Armond Halebi, për ndryshimin e qendrave të votimit, megjithëse qytetarët ishin njoftuar për vendndodhjen e parë. Përsa i përket Njësisë 4, Partia Demokratike kërkoi që 7 qendra votimi, të cilave u ishte ndryshuar vendi, të ktheheshin në atë zonë ku ishin në 2009-n. Pas diskutimeve u vendos që kërkesa e PD-së të pranohet vetëm për katër qendra votimi, ndërsa tri të tjera do të qëndrojnë në vendndodhjen e re, me argumentin se për lëvizjen e tyre qytetarët janë informuar në kohë. Kolegji Zgjedhor ka marrë parasysh argumentet e KQZ-së se banorët e këtyre qendrave të votimit janë lajmëruar fillimisht për vendndodhjen njësoj me atë të vitit 2009.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











