Votimi i 13 anëtarëve për Magjistraturën, Ina Rama pro Hoxhajt

Oct 7, 2011 | 13:04
INA HOXHAJ

Kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, si anëtare e Këshillit Drejtues është deklaruar pro kthimit në Shkollën e Magjistraturës të Ina Hoxhajt, kandidates që u radhit e dyta në konkursin e pranimit, por që është skualifikuar në listën përfundimtare. Më 6 vota kundër, 5 pro, 2 abstenim (dhe 3 anëtarë të munguar), Ina Hoxhaj nuk ka mundur dot të ulet në bankat e Shkollës më datën 3 tetor. Shkak i skualifikimit është bërë një fletë e rregullores së provimit, e shpërndarë nga vetë pedagogët gjatë konkurrimit, e cila është gjetur së bashku me tezat e plotësuara, të mbyllura të gjitha në një zarf. I njëjti zarf nga ku edhe është marrë kjo fletë, ndaj për disa prej figurave më të larta të institucioneve kushtetuese shqiptare, është konsideruar si gabim njerëzor që nuk ndikon aspak në rezultatin e lartë të Hoxhajt, por për Komisionin e Vlerësimit të Shkollës ky veprim është i paligjshëm, pasi shkel Rregulloren. Një Rregullore, që në fakt nuk e parashikon incidentin në fjalë dhe rasti i Hoxhajt mund të kthehet në precedent.
Pas skualifikimit, fillimisht Ina Hoxhaj është ankuar pranë Komisionit të Vlerësimit, i përbërë nga katër anëtarë, ku dy prej tyre janë drejtoresha Marjana Semini dhe përgjegjësja e Trajnimit Vazhdues, Arta Mandro. Ky komision la në fuqi vendimin e skualifikimit, por pas një ankese të dytë të kandidates Hoxhaj, çështja shkoi në Këshillin Drejtues (ndryshe bordi). Ky është organi më i lartë në Shkollën e Magjistraturës, që funksionon me një numër çift prej 16 anëtarësh, ku spikasin personazhet kryesorë të institucioneve kushtetuese, të cilët marrin vendimin “e formës së prerë” mbi ankimet. Në këtë organ, çështja e Ina Hoxhaj është kthyer në një objekt debati, edhe pse nuk ishte parashikuar që të diskutohej. Komisioni Vlerësues kishte depozituar para Këshillit Drejtues (bordi) vetëm një ankesë të plotë të një kandidati, nga 27 të tilla. Këto të fundit, vetëm ishin radhitur në mënyrë të përmbledhur si emra në procesverbalë, pa u sqaruar plotësisht. Megjithatë, një peticion prej 9 faqesh drejtuar disa prej anëtarëve të këshillit para mbledhjes në mënyrë private nga ana e Hoxhajt, ka bërë që ankimi i saj të shndërrohet në një debat të fortë për rreth 3 orë. Siç mësohet nga burime informacioni prezentë gjatë kësaj mbledhjeje, diskutimi është hapur nga vetë kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Ajo ka kërkuar që të dijë se pse ankimi i kandidates Hoxhaj nuk është dhënë i plotë, ndërkohë që ka këshilluar pranimin e saj si studente e Magjistraturës. Një këshillë që është përkrahur nga anëtarët e Bordit Drejtues që vinin direkt nga jashtë, nga institucionet kushtetuese dhe që është kundërshtuar nga pedagogët e brendshëm të Shkollës, përfshirë drejtoreshën Semini dhe përgjegjësia e Trajnimit Vazhdues, Mandro. Këto të fundit, në fakt nuk duhet të ishin pjesë e jurisë së dytë, duke qenë se e kishin dhënë njëherë vendimin e tyre në Komisionin Vlerësues. Pjesëmarrja e tyre ka shkelur parimin e paanësisë, standard i detyrueshëm, i vënë nga neni 12 i Kodit të Procedurave Administrative. Pikërisht për të zbatuar këtë standard, një nga 16 anëtarët e Bordit, Florian Kalaja, dha dorëheqjen para votimit, duke qenë se ishte mik i familjes Hoxhaj. Që do të thotë, një votë më pak për kandidaten e skualifikuar. Votat në favor të kandidates janë ulur edhe për shkak të mungesës së nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, dhe një letër e dorëzuar “pro Hoxhajt në Shkollë”, nuk është marrë parasysh nga Bordi. Ndërkaq, në mbledhje ka munguar edhe anëtari tjetër, Sokol Stojani, për arsye shëndetësore.

Votimi
Shpresa Beçaj – Kryetare e Gjykatës së Lartë (kundër)
Ina Rama – Prokurore e Përgjithshme  (pro)
Kreshnik Spahiu – Zv/Kryetar i KLD  (mungoi)
Ilia Jolldashi – Ministria e Drejtësisë (pro)
Skender Kaçupi – Dekan i Fakultetit të Drejtësisë (abstenim)
Maksim Haxhia – Kryetar i Dhomës së Avokatisë (kundër)
Mariana Semini – Drejtore e Shkollës Magjistraturës (kundër)
Marsida Xhaferllari – Ministria e Drejtësisë (abstenim)
Sokol Binaj – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda (pro)
Fatri Islamaj – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë (pro)
Sokol Stojani – Prokuroria e Përgjithshme (mungon)
Olsian Çela – Prokuroria për Krimet e Rënda (pro)
Arta Mandro – Përgjegjës i Trajnimit Vazhdues (kundër)
Dashamir Kore – Përgjegjës i Trajnimit Fillestar (kundër)
Olkeda Lice – Shkolla e Magjistraturës (kundër)
Florjan Kalaja – Shkolla e Magjistraturës (Larguar me vullnet nga votimi, pasi ishte mik i familjes Hoxhaj)

Ankohet fituesja që u skualifikua për 2.5 pikë
S.Lika, e cila ka përfunduar Juridikun me mesatare mbi 9 dhe është renditur e 18-ta në listën e publikuar pas konkursit në Shkollën e Magjistraturës, nuk e ka fituar të drejtën për vazhdimin e studimeve. Për shkak të një kriteri që studentët duhej të plotësonin 60 për qind të maksimumit të pikëve, pra të kishin jo më pak se 270 pikë, studentja në fjalë është skualifikuar edhe pse kishte plot 267.5 pikë. Për vetëm 2.5 pikë, studentja në fjalë edhe pse në vendin e 18-të nuk është konsideruar fituese nga Shkolla e Magjistraturës. Studentja pohon se për këtë rast nuk ka parashikime konkrete në rregullore, ndaj duhet të shqyrtohet prevalenca e vendimit të Shkollës apo kuotave të caktuara nga Prokuroria e KLD-ja, që në fakt janë 18.

Konkursi: Paracaktimi që në qershor, 10 të parët gjyqtarë, 8 prokurorë
Tiranë – Ndryshe nga vitet e mëparshme, në vitin akademik 2011-2012 renditja në tabelën e konkursit të pranimit ka përcaktuar edhe drejtimin që do të marrin studentët në programin e studimeve e më pas në karrierën e tyre. Sipas procedurës, para çdo viti akademik, Shkolla e Magjistraturës i kërkon informacion Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për numrin e vendeve vakante. Pasi merr prej tyre shifrat e vendeve që mund të plotësohen në vazhdimësi, Magjistratura përcakton edhe kuotat e pranimit. Këtë vit, KLD ka deklaruar se ka 10 vende në dispozicion, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka tetë vende në dispozicion. Ndryshe nga vitet e mëparshme kur përzgjedhja e studentëve në krye të tabelës, për drejtimin gjyqtar/prokuror ishte e rastësishme apo me zgjedhje, këtë vit është deklaruar se dhjetë të parët do të shkonin për gjyqtarë ndërsa pjesa tjetër do të përzgjidheshin në programin e studimit për prokurorë. Ky paracaktim e ka rritur edhe më tej garën e fortë për kreun e listës së klasifikimit, pasi preferencat për gjyqtar janë më të mëdha dhe më të kërkuara sesa programi i studimit për prokuror. Kështu, sipas një njoftimi të Shkollës së Magjistraturës në qershor 2011, kuotat e pranimit janë përcaktuar që në këtë kohë për vitin akademik 2011-2012. “Njoftohen të gjithë të interesuarit për të vazhduar Shkollën e Magjistraturës se: Numri i kandidatëve për magjistratë që do të ndjekin Shkollën e Magjistraturës për periudhën 2011-2012 do të jetë 18 (tetëmbëdhjetë) vende, 10 (dhjetë) kandidatë gjyqtarë dhe 8 (tetë) kandidatë prokurorë, në bazë të shkresave. Shkresat në fjalë përbëjnë dy letra të dërguara Shkollës së Magjistraturës, nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, për vendet bosh në Gjykata dhe Prokurori.

Konkursi
Vendi i zhvillimit të konkursit për pranimin në Shkollën e Magjistraturës nuk ka qenë i njëjtë si çdo vit tjetër dhe ashtu siç ka qenë e përcaktuar në rregullore. Edhe pse provimi duhej të jepej në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ai është zhvendosur në një objekt privat, “TE STELA BEER GARDEN”, në autostradën Tiranë-Durrës, km 7. Njoftimi për transferimin është njoftuar përmes një njoftimi elektronik, por pa bërë të ditur arsyen e zhvendosjes së vendit, të përcaktuar sipas Rregullores.

4 skualifikime per letra shtese
Pesë studentë pjesëmarrës në konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës janë skualifikuar këtë vit. Pas testit të zhvilluar më 13 shtator, një prej studentëve u përjashtua pasi gjithë përgjigjet e pyetjeve i kishte filluar me fjalën: Unë mendoj se… Kjo u konsiderua si shenjë e mundshme identifikuese dhe studenti u përjashtua. Katër të tjetër mes të cilëve edhe Ina Hoxha, u skualifikuan pasi harruan rregulloren e provimit në zarf.

Studentja deklaroi gabimin
Ina Hoxha, studentja e cila është skualifikuar për një letër shtesë në zarfin ku duhej të fuste tezat esenë dhe përgjigjen e saj, e kishte kuptuar gabimin ende pa mbaruar testimi. Në pushimin mes fazës së parë të konkursit dhe fazës së dytë, ajo i ka deklaruar komisionit se kishte harruar një fletë shtesë në zarf dhe se kjo fletë ishte rregullorja e provimit. Komisioni i ka thënë se rrezikonte skualifikimin, por studentja pas një tërheqje, ka vendosur të marrë pjesë në fazën e dytë.

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura