
Tri votat e rrjedhura të së majtës, të cilat i dhanë fitoren aleancës së djathtë për kreun e qarkut, i kanë qëndruar sërish besnike këtij koalicioni, duke i dhënë edhe postin e nënkryetarit të Këshillit. Me tri vota më shumë, nënkryetar i Këshillit të Qarkut të Beratit u zgjodh dje Astrit Qafa, i PD-së, kundrejt kandidatit tjetër për këtë post i së majtës, Ymer Hoxha. Mbledhja e djeshme filloi me replika të ashpra midis kreut të ri të Qarkut, Petrit Sina, dhe anëtarëve, këshilltarë të majtë. Këta të fundit ishin të acaruar jo vetëm duke parandier rrjedhjen për të dytën herë të votave, por nuk ishin dakord as për komisionin e zgjedhur nga Këshilli i Qarkut, i cili do të verifikonte mandatet e këshilltarëve para se ata të futeshin në votime. Pas debateve u futën në votime, ku morën pjesë 51 këshilltarë. Në kuti u gjetën 51 vota të vlefshme. Pas këtij procesi, komisioni kaloi në pikën e dytë, në numërimin e votave. Në fakt, e majta kishte 27 anëtarë, ndërsa koalicioni i djathtë 24. Por rrjedhja e votave, ashtu sikurse ndodhi edhe në zgjedhjen e kreut të Këshillit të Qarkut, ku fitues doli përfaqësuesi i LSI-së, e përmbysi të gjithë rezultatin, duke kaluar në favor të kandidatit të PD-së, Astrit Qafa. Ai kishte marrë 27 vota, ndërsa kandidati i majtë, Ymer Hoxha, arriti të marrë vetëm 24 vota. Duket se tre këshilltarët e majtë kanë mbetur besnikë gjer në fund të dhënies së votës së tyre nga krahu tjetër politik. Ky veprim ka irrituar jo vetëm këshilltarët e majtë, por dhe deputetët të cilët kishin ardhur për të ndjekur nga afër zgjedhjet për nënkryetarin e Këshillit të Qarkut. Rezultati i ka lënë ata të befasuar, ndonëse nën zë pritej. Teksa rendi tjetër i mbledhjes kishte të bënte me zgjedhjen e kryesisë, të majtët u larguan në mënyrë protestuese nga mbledhja që u zhvillua në sallën e bibliotekës “Vehxhi Buharaja”. Por, me gjithë boshatisjen nga ana e socialistëve, kreu i Këshillit të Qarkut, Petrit Sina, vazhdoi mbledhjen. Më pas u zgjodh edhe kryesia e re me 7 anëtarë të së djathtës, pasi të majtët nuk dhanë asnjë propozim për në kryesi. Për të ndjekur këtë mbledhje dje kishin ardhur në Berat deputetë, ministra dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili e ndoqi mbledhjen deri në fund. Në mbledhje ndodheshin ministri Nasip Naço, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, si dhe deputetë të djathtë. Ndërsa në krahun rozë ndodheshin deputetët Erjon Braçe, Fidel Ylli dhe Ermonela Feka.
LSI-ja mori postin e kryetarit të Qarkut
Më 21 shtator, LSI-ja fitoi Këshillin e Qarkut të Beratit, me tri votat e rrjedhura të PS-së. Petrit Sina, kreu i degës së LSI-së, me profesion jurist, fitoi me vota të fshehta përballë kandidatit tjetër, ish-kryetar i Këshillit të Qarkut të Beratit, Pelivan Shatri, ku nga 51 vota arriti të marrë 27 prej tyre. Humbja e Qarkut solli irritimin e anëtarëve të majtë, gjë që sipas tyre erdhi si pasojë e qejfmbetjeve dhe rrjedhjes së votave në radhët e tyre.
BERAT/ DILAVER XHELILI











