VLORE – Fenomeni i vjedhjes së kapakëve të pusetave në bulevarde apo trotuarëve të qytetit, tashmë është bërë i zakonshëm. Kudo në qytetin e Vlorës të zënë sytë puseta të hapura, të cilat rrezikojnë së tepërmi jetën e banorëve, sidomos në orët e natës. Personat që i vjedhin këta kapakë vijojnë të jenë të lirë, ndërsa Policia asnjëherë nuk ka mundur t’i arrestojë ata, edhe pse fenomeni tashmë është kthyer në një rrezik dhe shqetësim serioz për banorët. Ata shprehen se kanë frikën e fëmijëve, të cilët në një moment shkujdesje mund të bien brenda tyre dhe të humbasin edhe jetën. Në fakt, incidentet nuk kanë munguar, por fatmirësisht veç dëmtimeve fizike, deri më sot nuk janë shkaktuar viktima. Persona të papërgjegjshëm i vjedhin natën kapakët e pusetave me qëllim shitjen e tyre për skrap. Policia nuk ka mundur ta frenojë këtë fenomen, ndërsa shqetësimin e banorëve e pranon edhe Bashkia, e cila ka vënë në dispozicion të qytetarëve numrat e telefonit 222 761 dhe 222 762, për të denoncuar vjedhjet. q.b











