Vlorë, PD merr kreun e qarkut në bastionin e PS-së

Oct 25, 2011 | 14:08
Anesti Dhimojani, kreu i ri i Këshillit të Qarkut

Aleanca për Qytetarin rimerr qarkun e Vlorës me votat e së majtës, ndonëse kjo e fundit kishte shumicën e anëtarëve në Këshill. Në praninë e deputetëve të të dy kaheve politike, dje u konstituua Këshilli i Qarkut, duke zgjedhur në krye të saj kandidatin e së djathtës, Anesti Dhimojani. Në mbledhjen që drejtohej nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, me cilësinë e kryetarit të njësisë vendore më të madhe në rang qarku u votua për kreun e këshillit dhe nënkryetarin e saj. Të 59 anëtarët votuan për dy kandidaturat e hedhura, Brunilda Mersini si kandidate e Aleanca për të Ardhmen, dhe Anesti Dhimojani, kandidat i Aleancës për Qytetarin.
Pas zgjedhjeve të 8 majit, pjesën më të madhe të njësive vendore në rang qarku i fitoi e majta. Kështu, për Këshillin e Qarkut pati një ndarje mandatesh 36 me 23 në favor të Aleancës për të Ardhmen, por rrjedhja e 15 votave të anëtarëve të majtë solli dje fitoren e Anesti Dhimojanit, kandidat i Aleancës për Qytetarin. Ai do të drejtojë tashmë Këshillin e Qarkut të Vlorës në katër vitet në vijim, duke rikonfirmuar për herë të dytë mandatin e marrë nga PD-ja për drejtimin e këtij qarku. Diferenca prej 15 votash shënoi një fitore të thellë dhe të papritur të së djathtës, duke konfirmuar kështu rrjedhje në masë të votave të së majtës në favor të kandidatit tjetër. Duket se angazhimi i deputetit demokrat të Vlorës, Astrit Patozi ka bërë që dhe një pjesë e grupit socialist të votojë Anesti Dhimojanin, për të plotësuar kështu numrin e votave që e shpallën atë fitues. Në fund të votimit rezultoi se Dhimojani kishte fituar 37 vota, ndërsa kandidatja Brunilda Mersini kishte marrë vetëm 22 vota, nga 36 mandate që kishte gjithsej e majta. Burime brenda mbledhjes bënë të ditur se ndikim mjaft të madh në një rezultat të tillë kishte pasur edhe deputeti i PD-së, Kosta Barka, për të siguruar votat e anëtarëve që i përkasin minoritetit grek në qarkun e Vlorës. Mbledhja fillimisht pati disa përplasje të vogla dhe mosmarrëveshje, por që u zgjidhën me qetësi. Për rreth një orë mbledhja u ndërpre, sepse në fletët e votimit ishin shënuar dy emrat kandidatë që nuk ishin deklaruar zyrtarisht. Gjika kërkoi anulimin e fletëve për të cilat nuk ishte marrë miratimi i dy kandidatëve në sallë. Por, pas deklarimit të dy kandidatëve u bë dhe zëvendësimi i fletëve të votimit dhe më pas gjithçka funksionoi normalisht. Përveç anëtarëve të Këshillit të Qarkut, ishin të pranishëm edhe deputetët e dy grupimeve politike. Nga e majta ishin të pranishëm deputetët Fatmir Toçi, Arbej Isaraj, Luiza Xhuvani dhe Eltar Deda, ndërsa deputeti i Vlorës Arben Malaj nuk ishte i pranishëm. Ndërsa nga e djathta ishin Astrit Patozi, Ardi Kollozi, Kreshnik Cipi, si dhe deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe Ferdinand Pone, si dhe prefekti i qarkut, Eduart Velçani. Pak ditë më parë, një tjetër votë e PS-së i kaloi aleancës së djathtë. Kreu i PS-së, Kujtim Sulçe, iu bashkua LSI-së duke deklaruar kështu dorëheqjen e tij për shkak të pakënaqësive brenda partisë që ai drejtonte dhe në veçanti të kreut të saj, Edi Rama.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura