Ditën e mërkurë, pasi ka vëzhguar me kujdes takimin mes Vllaznisë dhe Bylisit, Rudi Vata është takuar me drejtuesit, duke dhënë edhe idetë e tij për ekipin. Tekniku është shprehur se kërkon një punë dhe përkushtim nga të gjithë, duke filluar nga puna e stafit që mund të ketë. Gjithashtu, ka kërkuar një përkrahje dhe një mbështetje totale nga të gjithë, e kjo duke filluar që nga numri një i klubit, kryebashkiaku Lorenc Luka. Ndërsa, një nga pikat e tjera ku Vata do të fokusohet, nëse do të jetë në krye të ekipit, është edhe disponimi i një infrastrukture të gjithanshme, e cila do kërkohet të jetë funksionale që në fillim të punës. Vata, mësohet se ia ka parashtruar këto gjëra edhe stafit, duke bërë me dije edhe përforcimet që i duhen teknikut në merkaton e janarit. Ndërsa bëhet me dije se ende nuk është biseduar problemi financiar. “Jam takuar me stafin aktual dhe me drejtuesit, por jo me z.Lorenc Luka. Pres që të takohem edhe me kryebashkiakun që më pas të vendos nëse do të marr drejtimin e skuadrës apo jo. Të gjithëve u kam shpjeguar kërkesat e mia dhe mënyrën sesi unë punoj, kjo për të qenë transparentë që në fillim”, ka pohuar Vata.
kandidatet
Përveç Rudi Vatës, drejtuesit kuqeblu kanë shprehur interes edhe për afrimin e drejtorit aktual teknik të Teutës, Sulejman Starova. Ky shihet si një trajner me shumë eksperiencë që mund ta nxjerrë skuadrën nga kriza e momentit. Veç Starovës, në listë është futur edhe Ramadan Shehu, i cili ka drejtuar Vllazninë vite më parë. Sakaq, mësohet se me asnjërin prej këtyre nuk është rënë ende dakord, ndaj gjasat janë te një rikthim tek alternativa e parë, Rudi Vata.











