
Tiranë, bllokohen pajisjet që prodhonin viza, patenta e pasaporta.
Një “fabrikë” e vër-tetë ku prodhoheshin dokumente zyrtare të falsifikuara me një cilësi të lartë dhe thuajse të ngjashme me dokumentet reale është zbuluar dje vetëm pak metra larg qendrës së Tiranës. Në një garazh të katit të parë, te një pallat në afërsi të Kodrës së Diellit në kryeqytet, janë zbuluar një seri makinerish shtypshkronje dhe mjete që përdoren për prodhim dokumentesh: karta identiteti, viza, pasaporta, patenta etj. Policia njoftoi se ka sekuestruar 16 makineri të tilla në një ambient të përshtatur si “shtypshkronjë”, ku kryheshin stampime me lazer dhe me printime, të gjitha pajisje profesionale dhe të një cilësie të lartë. Kjo punishte rezultoi të jetë në pronësi të shtetasit Azem Tahiri, 45 vjeç, i cili u arrestua një javë më parë në Greqi. Bashkë me të u arrestuan edhe dy persona të tjerë, Panajot Bara, 46 vjeç, nga Berati, dhe Eduard Zeneli, 46 vjeç, nga Ksamili i Sarandës. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë dje se në momentin e arrestimit, tre të dyshuarve u janë gjetur mijëra dokumente të falsifikuara me cilësi mjaft të mirë, si karta identiteti të vendeve të ndryshme europiane, viza europiane, modele të reja patentash dhe pasaportash, vulash etj. Menjëherë pasi është kryer arrestimi i tyre nga ana e Policisë greke, është kërkuar bashkëpunim me Policinë shqiptare për zbulimin e vendit ku kryheshin falsifikimet dhe bashkëpunëtorët e mundshëm të të ndaluarve.
OPERACIONI
Një operacion i kryer nga strukturat e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës dhe me autoritetet e Policisë greke për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një grupi të falsifikimit të dokumenteve, u zbulua baza ku stampoheshin dokumentet. Gjatë paradites së djeshme policia e kryeqytetit ka ushtruar kontroll në ambientet në pronësi të shtetasit Azem Tahiri, 45 vjeç, banues te Kodra e Diellit, i akuzuar nga Policia greke për falsifikimin e mijëra dokumenteve. “Gjatë kontrollit të ushtruar në garazhin e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 16 makineri shtypshkronje që shërbenin për stampime të ndryshme dhe njëra prej tyre lazer, print-ofset, që të gjitha pajisje profesionale. Po ashtu u gjetën dhe sekuestruan dhe tri paleta me letra format A4 dhe A3 të plastifikuara, si dhe plastikë”, thuhet zyrtarisht nga Policia e Shtetit. Të njëjtat burime sqaruan dje se, në bashkëpunim me autoritetet policore greke, për një periudhë njëjavore, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë kryer veprime intensive për të dokumentuar aktivitetin e këtyre shtetasve. Nga hetimet paraprake të zhvilluara ka rezultuar se shtetasi Azem Tahiri prodhonte dokumente të falsifikuara në ambientet në pronësi të tij te Kodra e Diellit, Tiranë. Ndërsa dy personat e tjerë të arrestuar bashkë me të në Greqi, ishin bashkëpunëtorë të tij, të cilët i merrnin këto dokumente në Tiranë dhe më pas i transportonin drejt Greqisë.
[portfolio_slideshow]
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











