Viti i ri akademik, Basha: Gati Karta e Studentit

Oct 10, 2011 | 18:09
Basha gjate takimit me studentet

TIRANE- Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot para studentëve tre angazhime kryesore të saj, përfshirjen në planin urbanistik të godinave dhe ambjenteve të reja studentore, ngritjen e një fondi me të paktën 1 milionë euro për stazhin e studentëve si dhe hartimin e Kartës së Studentit, një dokument që parashikon lehtësi të ndryshme financiare për studentët e Tiranës.

Në ditën e parë të viti të ri akademik, kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte në Universitetin e Tiranës ku uroi studentët për fillimin e vitit të ri akademik si dhe foli për marrëdhënien e re mes Bashkisë dhe botës akademikë në kryeqytet.

“Ne jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar një nga premtimet e mia kryesore; kartën bashkiake të studentit, për çdo student të Universitetit të Tiranës dhe të të gjithë universiteteve që rezidojnë në këtë qytet. Kjo kartë studentore do të jetë në duart tuaja dhe do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh, lehtësirash, që nga transporti publik, tek jeta kulturore, tek shërbimet e infrastrukturës ushqimore e shumë të tjera”- tha Basha para studentëve.

Kryebashkiaku premtoi se në bashkëpunim me sektorin privat dhe me faktorët institucionalë, do të niset puna për ndërtimin e një prej Kampuseve më modernë,  ku sipas Bashës, “jo vetëm të mësohet mirë, jo vetëm të shijohet jeta studentore, si pjesë e pandarë e eksperiencës studentore, por edhe të hidhen hapat e parë, në urën e rëndësishme që lidh botën akademike me botën e punësimit.”

© Panorama.al

Te lidhura