Viroza, 400 pacientë në ditë në spital e poliklinika

Oct 24, 2011 | 11:58

Rreth 400 pacientë në ditë kanë marrë javën e fundit trajtim mjekësor në poliklinika dhe urgjencat e spitaleve. Viroza që po qarkullon në të gjithë vendin, ka simptomë kryesore rrufën dhe dhimbjen e kokës. Përveç të rriturve, me qindra fëmijë kanë kërkuar asistencë mjekësore në dyert e pediatrisë. Vetëm dje u regjistruan rreth 150 raste. Tek të vegjlit forma e virusit ka qenë më agresive, duke u shoqëruar me temperaturë. Por, sipas mjekëve, virusi nëse trajtohet në kohë, nuk zgjat më shumë se 4 ditë. Ata këshillojnë përdorim vetëm të paracetamolit dhe vitaminës C, duke evituar në maksimum antibiotikët. “Dhembje koke, temperaturë, skuqje sysh e dobësi trupore janë disa nga simptomat me të cilat është manifestuar viroza që po  qarkullon. Më shumë janë prekur të rriturit, por gjatë fundjavës kemi pasur një shtim të fëmijëve në urgjence. Kemi të bëjmë me një sëmundje virale, që shfaqet në formën e rrufës dhe laringjitit. Kemi këshilluar prindërit të përdorin antibiotikët vetëm kur i rekomandon mjeku”, sqarojnë mjekët pediatër në urgjencën e pediatrisë në QSUT. Sipas tyre, shkaqet e virozës janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, lagështia, ndotja e ambientit, të cilat shkaktojnë probleme në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, në faring dhe laring. “Më të predispozuar për t’u prekur nga këto viroza janë fëmijët, personat alergjikë dhe të moshuarit, të cilët janë më të ndjeshëm nga ndryshimet klimaterike dhe cilësia e ajrit. Por, nuk përjashtohet as pjesa tjetër e popullatës. Të gjithë jemi te rrezikuar për t’u prekur nga të tilla viroza”, thonë mjekët. Ata sqarojnë se, nëse brenda 4-5 ditëve viroza nuk është kaluar, atëherë kemi të bëjmë me komplikacione. “Kur kolla është me sekrecione, shtohet dhe bëhet më e fortë kur pacienti ka dobësi të përgjithshme, dhimbje kraharori, humbje të oreksit, kemi të bëjmë me komplikacione dhe sa më pare duhet bërë kontrolli te mjeku, për të marre trajtimin e duhur me antibiotikë specifikë”, thonë mjekët. Sipas tyre, tri ditët e para është normale që temperatura të jetë e lartë dhe mund të zgjasë deri në pesë ditë. Por kurrsesi nuk duhet ndërhyrë me antibiotike, sepse i duhet lënë kohë organizmit që të reagojë. Thjesht ajo duhet mbajtur nën kontroll dhe vetëm nëse ajo ripërsëritet, pra nëse pas një periudhe qetësie rishfaqet, vetëm atëherë duhet përdorur antibiotiku. Sipas tyre, lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët rekomandojnë pirjen në sasi të mëdha të këtyre lëngjeve, 2 deri në 3 litra në ditë. Gjithashtu, ata këshillojnë që të sëmuret me kollë të pinë ujë të ëmbëlsuar me mjaltë. Sipas tyre, kjo është një kurë mjaft e mirë për të larguar kollën.

Këshilla
.Shmangni antibiotikët
.Mbani nën kontroll temperaturën. Çdo 4 orë duhet të përdorni paracetamol
.Përdorni avuj për hundët e bllokuara
.Përdorni shumë çaj
.Përdorni sa më shumë lëngje
.Përdorni vitaminë C, sepse rrit rezistencën
e organizmit
.Kontroll te mjeku për çdo lloj simptome të re

Hepatiti B, duhen vaksina për fëmijët
Vaksinimi për hepatitin B – veçanërisht te fëmijët e porsalindur nga nëna mbartëse e virusit, një dietë e duhur me përmbajtje të vogël alkoolike dhe ushqimi i duhur dhe paralelisht ushtrimi fizik i përditshëm, janë masat e nevojshme parandaluese për reduktimin e pasojave të sëmundjeve të mëlçisë në popullatë. Të dhënat e mësipërme ishin në fokusin e Konferencës së pestë shkencore në apitalin “Hygeia” Tiranë, me tematikë «Zhvillimet e fundit në sëmundjet e heparit», të mbajtur dy ditë më parë.  Konferenca u organizua bazuar në rritjen e rasteve të disa sëmundjeve heparike (hepatiti B dhe C, kanceri hepatocelular, patologjia alkoolike e heparit, sëmundja yndyrore jo alkoolike e heparit) si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri. Mëlçia, si organi kryesor metabolik i organizmit njerëzor, paraqet një larmi patologjish, monitorimi dhe trajtimi i të cilave kërkon njohuri moderne dhe specifike, si dhe bashkëpunimin e shumë specialiteteve si p.sh. patologjisë, hepatologjisë, gastrenterologjisë, radiologjisë, onkologjisë, kirurgjisë së mëlçisë. “Për këtë arsye, spitali ynë ka proceduar në rekrutimin e specialiteteve mjekësore me përvojë dhe të specializuar lidhur me sëmundjet e mëlçisë; Ka siguruar pajisjet diagnostikuese të nevojshme, duke aplikuar metodat më moderne, në mënyrë që të jetë në gjendje sot të ofrojë menaxhim të integruar të sëmundjeve të mëlçisë”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i spitalit “Hygeia” Tiranë, z. Kyriakos Kopsidis.

© Panorama.al

Te lidhura