
Historia e një virgjëreshe të betuar, që prej 82 vitesh mban të veshur kostumin e një burri, ngre dolli rakie me ta e drejton çdo vendim që merret në familje. Takimi pas 40 vitesh me të vëllain, Lekë Tunë Gjidodën, që u rikthye me dasmë në shtëpi pas 40 vitesh arratisjeje. Kujtimet e kohës së internimit në Tepelenë dhe gjithë ç’gëzoi familja Tuna, me banim në qendër të qytetit të Laçit pas vitit ’90.
“Baba, të të sjell një raki?”, i drejtohet nusja, atij që për të konsiderohej si burri në krye të asaj shtëpie. Me shikimin e vrazhdë të një burri të sertë e autoritar, baba refuzon. Deri këtu, asgjë që të dilte jashtë kornizave të një familjeje tradicionale, për më tepër të traditave veriore. Veçse, rrudhat e lëmuara, ndonjë buzëqeshje bredharake që i shpëtonte ndër bisedë, ishin tradhtarët e ‘babës’, tashmë rreth 95 vjeç. Frane Gjidoda është një nga virgjëreshat e betuara, e kthyer në burrë qysh kur e mban mend veten. Ishte fëmijë, një trembëdhjetëvjeçare e traditave të forta, që nuk i kishte mbetur më asnjë fjalë ngushëlluese për të ëmën, pas vdekjes së katër djemve të saj të parë. Natyrisht që të gjitha luftërat me veten, në botën e errët të viteve të çlirimit, në përçapjet mendore për marrjen e këtij vendimi, Frania nuk ka si t’i kujtojë. Kanë kaluar prej atëherë 82 vite, aq sa vetëm një pakicë njerëzish kanë fatin t’i kenë jetë. Po siç duket, gojëdhënat e Kanunit, ato se një femër mund të bëhej zot shtëpie në rastin e vdekjes së burrave të shtëpisë, (apo të refuzimit të një martese a vdekjes së bashkëshortit) ia kanë vrarë aq veshin në ato vdekje të njëpasnjëshme, saqë vendimi ka qenë i patjetërsueshëm. Vajza 13-vjeçare, me origjinë mirditore, njëfarësoj ngushëlloi prindërit duke marrë vendimin për t’u kthyer në burrë. Pa një, pa dy. Sado që pas atyre gjëmave që i ndodhnin familjes, lindën sërish jetë të reja, Frania nuk u zmbraps. Djem të tjerë e gëzuan shtëpinë, siç kishin shpresuar e uruar familjarët që mbiemri të ndërrohej e shumohej.
Ajo ishte vëllai i tretë, edhe pse nuk do të mund t’i jepte të atit trashëgimtarë. Ashtu siç rrodhën ngjarjet më vonë, të bën të mendosh se ka qenë një dorë më shumë se njerëzore që e ka mbajtur Franen të palëkundur. Të gjithë burrat e shtëpisë, vite më vonë, do ta kishin kokën në rrezik. Njëri prej tyre, më shumë se të tjerët. Njëri nga vëllezërit e Franes, Lekë Tunë Gjidoda, si nacionalist i papajtuar ndonjëherë me regjimin, do të ishte gjatë gjithë jetës i përndjekur. Së

pari me akuzat e famshme për agjitacion-propagandë, e mandej në një dyluftim për jetë a vdekje përpara derës së shtëpisë, prej nga u arratis. Bandat e maleve, një prej më të famshmeve të Krujës, ajo e Gjergj Nikoll Ndreut, e strehoi aq sa t’i shpëtonte rrezikut në vendin e tij e të arratisej përgjithmonë. Nga Jugosllavia në Londër, ku jetoi për më shumë se 30 vite. Siç e kish parandier intuita e 13-vjeçares, do vinte dita që shndërrimi burrëror të ishte ‘qoshja’ e familjes Tuna. Ajo që sot e gjithmonë, ka thënë fjalën e fundit. Ka punuar e ka ushqyer fëmijët e vëllait, ashtu siç nuk mundi kurrë të bënte me të sajët. Ndau dhomën e gjumit me të kunatën e u kujdes për të ashtu siç do të bënte i shoqi. Ama do të përdorte edhe tonin e tij autoritar, aq sa edhe sot nënë Jana, 90-vjeçare, nuk pyet për vitet, nëse “baba” i kërkon diçka, por çohet nga kolltuku e zbaton fjalën. “Çohu, shiko për atë fotografinë”, i thotë me një mimikë urdhëruese. Ajo e zbaton, sikundër ka bërë të gjithë jetën. Ajo dhe fëmijët e saj, njëri prej të cilëve, Anton Tuna, është i pranishëm në bisedë. Ndryshe nuk do ishte e mundur, për shkak të viteve të dy protagonistëve, që historia të mësohej fund e krye. Nga ana tjetër, ‘baba’ është betuar se nuk do flasë më me gazetarët, të gjitha intervistat që ka dhënë, kryesisht për televizione të huaja, nuk ia kanë sjellë t’i shohë, nuk e kanë mbajtur fjalën, kështu që nuk do të flasë më.
Apo jo, kështu është?
Po, po, i kam thënë Tonit, mos më sill më njeri këtu se do ta përzë.
(E në fakt, u desh shumë që të bindnim Antonin për të na çuar në shtëpi. Për shkak, pa dyshim, të gjendjes jo të mirë shëndetësore të së ëmës e babës. Por nga ana tjetër, druhej ndoshta edhe për një reagim jo të mirë, sepse do të thoshte t’i kishte shkelur në fjalë. Por pritja e vrazhdë, së cilës iu frikësuam, nuk ndodhi, kështu që biseda vijoi rrjedhën.)
Si ka qenë historia e familjes Tuna, ç’ju ka bërë të hiqni dorë nga fëmijëria e vajzëria juaj për t’u shndërruar në burrë?
Familja jonë, me origjinë të hershme nga Spaçi i Mirditës, ishte ndër të parat që prej largimit nga Gjakova u vendos në Laç, në këtë vend që jemi edhe sot. Prindërit, përveç meje lindën edhe 3 fëmijë të tjerë meshkuj, prej të cilëve asnjë nuk jetoi. Isha 13 vjeç atëherë kur e mora këtë vendim për të mos u kthyer më kurrë pas. Pas viteve ’90, shumë nga virgjëreshat e betuara u rikthyen në gra, por nuk e kam menduar kurrë këtë.
(Dhe s’kish si ta mendonte, kur deri atëherë, asgjë në përditshmërinë e Franes nuk kishte qenë prej femre. Edhe në dasma e ngushëllime, qëndronte përherë nga dhoma e burrave, punonte punë të rënda në bujqësi, bënte llaç e ua çonte ustallarëve. Madje, e ka lënë punën vetëm 2 vite më parë)
Nuk kishit nevojë të prisnit vitet ’90, sepse pas jush lindën fëmijë të tjerë meshkuj, mund të ishit rikthyer qysh atëherë…
Jo, jo. Unë e kisha bërë betimin tim. Në atë kohë, në anët tona, ishte më e lehtë të ishe burri i shtëpisë, sesa grua. Për të gjithë ishe më i respektuar, sado që hiqje dorë nga mundësia për t’u bërë nënë.
Ju ka munduar kjo?
Ju e shihni, shtëpia është sot plot me nipër e me mbesa, të vegjël e të mëdhenj, sa nuk më mungon gjë.
Të flasim për historinë e Lekë Tunës, arsyeja pse baba më vonë do ishte i domosdoshëm në familjen e të vëllait..

Antoni: Babë Leka kishte mendime ndryshe nga regjimi i asaj kohe e, për pasojë, nuk mund të kishte jetë të qetë me regjimin, sikundër kushdo tjetër që mendonte si ai. E akuzojnë së pari për agjitacion-propagandë dhe e mbajnë në burg për një vit në tortura, derisa e lëshojnë, sepse nuk pranonte asgjë. Nuk kaloi as një vit dhe e burgosin sërish, me tortura edhe më çnjerëzore, siç na ka treguar më vonë. Aq sa pas tyre ishte betuar se nuk do t’u nënshtrohej më atyre tmerreve. Më mirë vdiste. Të dielën e Pashkëve, erdhën për ta marrë për të tretën herë si bashkëpunues me bandat e maleve, kryesisht me atë të Gjergj Nikoll Ndreut, e njohur si banda më e rrezikshme antikomuniste, me të cilin baba kishte pirë gjak. Kur mësoi se shtëpia po rrethohej, mori çifte, 2 granata dhe pistoletën në dorë. Polici kërcen që t’i marrë çiften, por në këtë kohë hidhet e motra e veshur si burrë dhe e pengon që ta qëllojë. Të shtënat e operativit e kapin babën dy herë, por të dyja në pjesë jo të rrezikshme, jo që të kapnin kockën. Kështu, në përleshje e sipër të Franes me operativin, Babë Leka ikën dhe hedh njërën nga granatat, e cila nuk ndezi. Hodhi sërish të dytën, e cila kapi policin por nuk vdiq.
Kështu Leka mundi të ikte?
Të gjithë menduam se vdiq, por në fakt kishte kaluar nga dera e pasme e shtëpisë, kishte shkuar në pyll te miqtë e tij.
Ju keni qenë aty, ju kujtohet?
Po, kam qenë, edhe pse fare i vogël. Skena e paharrueshme është ajo e gjyshes 70-vjeçare, së cilës nuk i ra ndër mend për djalin në atë breshëri të shtënash, por na mori mua e vëllain e na shtrëngoi pas vetes të mbuluar me një xhaketë, për të na shpëtuar nga plumbat. Kujtoj oborrin e shtëpisë të gjithin me gëzhoja dhe një fjalë të gjyshes pas ngushëllimeve të të pranishmëve që ishin mbledhur “Unë Lek Tunën nuk e kam bërë për t’u tjerë me furkë, por për t’u vrarë me pushkë”.
Pas kësaj ju morën edhe ju të gjithë?
Jo menjëherë. Të nesërmen, forca të shumta policore hynë në shtëpi mos ndoshta Leka ish strehuar. I binin dyshemesë mos kishim bodrum poshtë, morën gjithçka gjetën, lanë vetëm faqet e murit dhe gjënë e gjallë.
Ju lanë të qëndroni aty?

Lanë aty gjyshen me mua dhe tim vëlla. Kishim edhe vëllain më të vogël që nëna e kishte ende në gji dhe ia lanë ta merrte me vete në internim. Mua dhe vëllain na lanë për të parë mos ndoshta kthehej baba.
Ku i çuan?
Në Tepelenë.
Në një nga kampet më të tmerrshme në situatën më të keqe. Si rezistoi nëna?
Përveçse ishte vetëm 23 vjeç, kishte një fëmijë në gji, e dinte veten të ve, e kishte lënë 2 fëmijë, pa le se ku, nuk kishte as një të afërm të sajin në Shqipëri, sepse është kosovare. Nuk dinte ç’bëhej me motrat e saj andej, kufijtë ishin mbyllur… Por problemi më i madh për atë kohë ishte si të ushqente të birin, sepse qumësht nuk kishte më. Që në atë moshë, nëna ka veshur rrobat e zeza, ka lidhur shaminë dhe, siç e shihni, nuk e ka hequr më.
Ç’tregonte për kushtet?
Gjellë me miza e krimba bashkë. I mënjanonin dhe përpiqeshin t’i jepnin vetëm lëngun. Gjë që nuk kish si të ish e mjaftueshme dhe e çuan tim vëlla me sëmundje dizenterie në Gjirokastër.
Po ju ndërkaq ç’bënit? E takuat nënën këto kohë?
Me çfarë të shkonim?! Nuk kishim mundësi as të ushqeheshim, jo më të udhëtonim deri në Tepelenë. Por për fat, një herë, një mik i Babës thërret gjyshen “O nëna Lekës, a i ke çuar djemtë te e ëma”, i thotë. Gjyshja i jep përgjigjen që ju thashë dhe ai ofrohet pasi na dhuron një dash, që të na çojë.
Si ishte takimi me të?
Kujtoj së pari që prej ditës që iku, fare pak net mund të mos e ëndërroja. Ndërsa natën përpara se të shkonim te ajo, nuk kam vënë gjumë në sy nga gëzimi. Me disa ndërprerje gjatë rrugës mbërritëm më në fund në Tepelenë. Hyra fshehtas gjyshes në kamp, nga padurimi dhe dëgjoj që nuk ishin kthyer ende nga puna. Atëherë eci një rrugice e më dalin përpara 3 gra të ngarkuara me rasa. Atë të mesit e njoha menjëherë që ishte nëna. Ajo jo. Nisa të qaja me dënesë, derisa më pyeti “I kujt je mor bir?”. “Hë moj mam, jam Toni”, i thashë. I ra të fikët, e përmendën shoqet. Atë natë e kaluam në kazermë.
Sa kohë i mbajtën në Tepelenë?
Thuajse 5 vite, pastaj nënën me hallën i lejuan të ktheheshin. Ishte viti ’55.
Me çfarë jetonit, kush punonte?
Pas ardhjes nga internimi, drejtimin e familjes e mori halla, që qysh prej asaj kohe do ta thërrisnim ‘Babë’. Pastaj, të dy punuan në bujqësi dhe merreshin me rritjen tonë. Natyrisht që këtë e bënte më shumë nëna, sepse burri nuk merrej me punë që quheshin shtëpie.
Kur morët lajm nga babai? A e dinit që ishte gjallë?

Lajmin e parë se ishte gjallë dhe se po shkonte në Pejë, e solli një shok i tiji, që kishte qenë me të në mal. Më vonë, halla që kishim në Pejë, dërgoi një letër, ku shkruante: “E dashtuna nënë, jam mirë, linda djalë dhe ia vura emrin Lekë”. Ky ishte sinjali për të na thënë se Babë Leka ishte atje me të. Pastaj vazhdoi të çonte letra një herë në vit po në emër të hallës.
Prej andej iku në Londër?
Bëri edhe 4 vjet burg në Jugosllavi. Gjykata serbe ka dash ta rekrutojë, por nuk ka pranuar. U arratis prej andej pas katër vitesh, derisa mori azil politik në Londër.
Ju si i kishit kushtet e jetesës ndërkaq?
Po çfarë kushtesh, gjithnjë të përbuzur, të trajtuar ndryshe nga të tjerët, të varfër. Aq sa edhe unë kisha menduar disa herë që të largohesha nga Shqipëria. Nuk e bëra sepse s’mund të mendoja vetëm për veten time, nuk dija se ç’mund të bëhej me fëmijët më pas.
Kur e takuat babanë?
I pari që e takoi nga familja isha unë, sepse munda të siguroj në ’89-n, duke qenë se isha pjesë e ekipit të futbollit të Laçit, një pasaportë ndërkombëtare, ndër të parat që u dhanë. Shkova në Zvicër, ku babai ishte te disa të afërm. Meqenëse gjatë torturave në burg babai kishte dëmtuar dy vertebra, në Londër merrte asistencë shumë të mirë. Këtë e përdorte për të udhëtuar e lëvizur te njerëzit e tij, meqenëse nuk ishte martuar më e nuk kishte të afërm. Prandaj ishte në Zvicër. Ndërsa unë udhëtoja pa e ditur se ku po shkoja e se çfarë më priste. Kur mbërrita, ishin duke më pritur, e aty thashë përherë të parë Babë, atij që duhet t’i kisha thënë gjithnjë.
Po ai erdhi në Shqipëri pas ’90-s?
Po, u kthye, jetoi edhe katër vite të tjera dhe vdiq.
Përballja me atë që e kishte lënë nuse të re e tashmë e gjente grua të moshuar veshur në të zeza, është e papërfytyrueshme për mua. Nga ana tjetër, e gjithë shtëpia ishte plot me pjesëtarë që ai as që i dinte…
Ai ka qenë momenti më i vështirë për mua. Takimi nuk ishte i rëndë vetëm për nënën, por edhe për motrat, vëllezërit. Si mund ta prezantoja motrën me vëllain?! Nëna, për traditë nuk erdhi me ne në Rinas, qëndroi në shtëpi tok me shumë e shumë njerëz që e prisnin. Në aeroport njohu vetëm Franen, ngase ishte e veshur si burrë, të tjerët jo. Ka qenë si dasmë ardhja e tij. Pasi e morëm, bëmë një shëtitje në Laç, ndërsa në shtëpi njerëzit prisnin në oborr. Me humor, baba tha “Çohuni më gjeni një nuse, se më paska mbaruar’. Nëna, më krenare se ai, ia pret “Vërtet kam mbaruar, por ti e gjete shtëpinë plot nipër e mbesa”.
Pavarësisht se ishte gjaku juaj, nisi bashkëjetesa me një njeri praktikisht të panjohur… Ç’komunikim kishte me nënën?
Baba ishte shumë i thjeshtë, sado që kishte kaluar shumë vite jashtë. Përshtatej me këdo e me gjithçka, në kuptimin e përditshmërisë së jetesës. Më kujtohet që i ofroi nënës të shkonin bashkë në një udhëtim jashtë shtetit, por ajo nuk pranoi. “Kur s’kam parë në rini, i tha, nuk kam për të parë tani”.
A e zëvendësoi Babë Leka, ‘babën’ që kishte qenë në krye të shtëpisë deri atë kohë?
Jo, as atëherë e as tani. Ne ai na ka rritur e fjala e tij është ligj. Edhe Babë Leka e dëgjonte.
Si ishte komunikimi mes të treve?
Po qoftë halla, qoftë baba nuk dinë as shkrim as këndim. Me atë çiltërsinë e pastërtinë e tyre nisën t’i tregojnë Babë Lekës gjithçka, që nga koha e internimit, vuajtjet e të gjithë viteve, peripecitë. Më kujtohet që i tregonin ngjarjen e një prifti që duhet të transportonte rasa si ato në Tepelenë. Ngase ishte i pafuqishëm, më të rejat i merrnin rasat duke i lënë vetëm pak, e në mbërritje ia vendosnin sërish mbi supe nga frika e ndëshkimit.
Kështu u mbyll jeta e Lek Tunë Gjidodës. Në shtëpinë e tij pas 40 viteve, duke ngritur dolli rakie me motrën-vëlla. Veçse, askush nuk e ngrinte rakinë përpara virgjëreshës së betuar.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











