Me ndërrimin e sistemeve të shumta ishin ato që hoqën dorë nga profesionet “burrërore”. Viktore Dashi nuk e tradhtoi profesionin dhe sot, ndonëse 56 vjeçe, vazhdon të punojë si saldatore në ish-Metalurgjik, në Elbasan
Nëse do t’i thoshe sot një vajze të re, të bëhej saldatore, së pari do të zgurdullonte sytë, sepse nuk do të dinte se çfarë ishte ky profesion dhe do të habitej edhe më shumë, madje do t’i dukej e pamundur, kur të merrte vesh se është një profesion, që kryesisht e ushtrojnë meshkujt. Por 20 vjet më parë, ama, askujt nuk i bënte përshtypje, kur dëgjonte se në shumë uzina punojnë edhe gra apo vajza saldatore. Sot, sigurisht kohët kanë ndërruar. Në asnjë uzinë apo fabrikë në vend nuk ka asnjë saldatore profesioniste femër, madje as që i shkon ndër mend ndonjë vajze të profilizohet në këtë profesion. Por, nëse kërkon, gjithçka mund të gjesh, dhe kjo vetëm në ish-uzinën e Metalurgjikut, ku tashmë, pas vitit 1995 disa godina të kësaj uzine janë privatizuar. Diku, në një nga këto firma gjen 56-vjeçaren, nënën e tre fëmijëve, tashmë edhe gjyshe. Viktore Dashi e ka nisur profesionin në moshën 16-vjeçare dhe është e vendosur që ta lërë, kur të dalë në pension. “Nëse kam ende mundësi, do të kërkoj që të punoj edhe pas moshës 60-vjeçare”, thotë ajo. Viktoria banon në fshatin Kuqan të komunës me të njëjtin emër, rreth 10 kilometra larg Elbasanit. Ajo vjen çdo ditë në punë dhe largohet nga uzina thuajse e fundit, në orën 18:00 të mbrëmjes. “Kur shkoj në shtëpi, më duhet të gatuaj për bashkëshortin, djalin dhe nipin tim, por nuk ndihem e lodhur. Kam 40 vjet që e bëj këtë punë”, thotë ajo.
Saldatore para viteve ’90
Atë e gjen çdo ditë në firmën private të konstruksionit të metalit, në një nga uzinat e ish-Kombinatit Metalurgjik. Një godinë e madhe në të cilën syri të zë vetëm burra, por mes tyre është edhe Viktoria. E veshur me uniformën e punës, ajo mban në dorë të gjitha veglat që i duhen një saldatori, madje kohët e fundit ajo ka filluar t’u mësojë këtë profesion edhe djemve të rinj. “Është e vërtetë që mund të jem e vetmja grua në Republikë që kryej profesionin e saldatores në këto vitet e fundit”, thotë Viktoria. Fill mbasi përfundoi shkollën tetëvjeçare, Viktoria vazhdoi shkollën 2-vjeçare profesionale të saldatores dhe, pas përfundimit në vitin 1972, nisi punën si saldatore. “Kam filluar punë në moshën 16-vjeçare në uzinën e montimit në Kombinatin Metalurgjik, dhe në ato vite ishim 30 gra saldatore. Vetëm katër vite më vonë, u martova. Kisha pak vështirësi gjatë muajve të shtatzënisë teksa punoja, më së shumti kur saldonim në lartësi, por them se i kam harruar ato vite të vështira, kur linda tre fëmijët e mi”, thotë Viktoria. Deri në vitin 1995, ajo punoi si saldatore në Uzinën e Montimit, e më pas doli në asistencë, pasi uzina u mbyll.
E vetme mes burrash
Me ndryshimin e sistemeve, shumë gjëra ndryshuan në shoqërinë shqiptare. Gratë u tërhoqën nga profesionet “burrërore” dhe preferuan të bënin shtëpiaken. Kjo sigurisht edhe për shkak të mbylljes së vendeve të punës. “Mbas vitit 1990, të gjitha shoqet e mia e lanë punën, ndërsa unë vazhdova të punoja, isha me shokët e mi. Edhe pse burra, ndihesha mirë dhe asnjëherë e fyer nga ata”, thotë Viktoria. Edhe në këtë firmë konstruksioni metalik, Viktoria është e rrethuar vetëm nga kolegë meshkuj. Puna është me normë, dhe atyre u duhet vetëm që të punojnë, aq sa fjalët bisedat, madje dhe shakatë mes tyre, i shkëmbejnë gjatë punës. Viktoren e gjen duke salduar me Gazin, një kolegun e saj, me të cilin ka më shumë se 20 vjet që ka punuar. “E respektojmë shumë,, madje edhe e vlerësojmë Viktoren, është e zonja në punë dhe shumë e fortë”, thotë Gazi. Të njëjtin mendim me të ndan edhe brigadieri i uzinës, Thoma Drizari. Ai ka 40 vjet që punon me Viktoren dhe mban mend në vitet e para të demokracisë, kur një ekip inxhinierësh gjermanë erdhën në uzinë dhe panë Viktoren duke salduar. “Më kujtohet se ata mbetën shumë të habitur kur panë Viktoren që kishte hipur në shtyllë dhe saldonte. Shefi i tyre më tha se do të ndihej shumë i kënaqur, nëse Viktoren e prezantonte me të gjithë ekipin gjerman”, thotë brigadieri, madje ai kujton se inxhinieri i ardhur nga Gjermania i kishte ofruar edhe 500 marka, në rast se Viktoria i shpjegonte atyre rreth punës së saj… Ishte kjo një nga ato kënaqësitë e vogla të punës, që asnjëherë nuk mungojnë. Ka lodhje fizike, ashpërsi, ndryshk që të ndot rrobat, por edhe shumë shkëndija dhe dritë…
MIRANDA SADIKU











