Viktor Orban akuzon Brukselin për zgjatjen e qëllimshme të luftës në Ukrainë, teksa pretendon se mbështetja financiare për Kievin po e “shteron” Bashkimin Evropian.
Në veçanti, në një intervistë me drejtorin ekzekutiv të grupit mediatik gjerman Axel Springer, kryeministri hungarez deklaroi se Ukraina “nuk ka asnjë shans për të fituar” luftën me Rusinë, duke e përshkruar mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian vazhdon t’i ofrojë Kievit si “absurde” .
Hungaria tashmë ka bllokuar zgjatjen e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe mbështetjen financiare për Ukrainën, dhe ka lobuar për një përjashtim nga sanksionet e SHBA-së ndaj Moskës në sektorin e naftës.
“Ne kemi shpenzuar tashmë 185 miliardë euro dhe… qëllimi ynë është të shpenzojmë edhe më shumë. Pra, po financojmë një vend që nuk ka asnjë shans për të fituar luftën”, tha Orban, sipas Politico.
Gjithashtu ai akuzoi udhëheqësit e BE-së për zgjatjen e qëllimshme të konfliktit në Ukrainë, duke shpresuar të fitonin një pozicion më të mirë negociues për një marrëveshje paqeje.
“Ata duan të vazhdojnë luftën”, tha Orban. “Ata besojnë… se ne duhet ta vazhdojmë luftën në mënyrë që ta mbështesim më shumë Ukrainën.”
“Koha dhe rrethanat i favorizojnë rusët më shumë sesa ne. Mos vazhdoni, ndalojeni sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Orbán.
Lidhur me negociatat e paqes, Orban tha se pret “një marrëveshje midis rusëve dhe amerikanëve për luftën dhe çështje të tjera, tregtinë, tregtinë globale, energjinë dhe çështje të tjera”. Ai tha gjithashtu se evropianët duhet të “hapin një kanal të pavarur komunikimi me Rusinë”.
“Le të negociojnë amerikanët me rusët, dhe pastaj edhe evropianët duhet të negociojnë me rusët dhe pastaj të shohim nëse mund të unifikojmë qëndrimin e amerikanëve dhe evropianëve”, tha Orban.
Evropa duhet të miratojë një qasje ndaj Ukrainës “bazuar në interesin evropian”, shtoi kryeministri hungarez, duke theksuar se “nuk i intereson” nëse Moska fiton apo humbet.
Ai theksoi se “është i interesuar për të ardhmen e popujve evropianë, përfshirë të ardhmen e hungarezëve”, si dhe “një sistem të ri sigurie”.
Sipas tij, një marrëveshje paqeje për Ukrainën duhet të përfshijë “stabilizimin e kufijve, pavarësisht nëse ato njihen ndërkombëtarisht apo jo”, si dhe “një zonë të demilitarizuar”. Ai vlerësoi se pa një “mrekulli”, Rusia do të vazhdojë të kontrollojë rajonin e Donetskut pas luftës, duke shtuar: “Ky është realiteti, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo”.
© Panorama.al












