
Dëbohen nga Aero-porti i Rinasit 43 shtetas iranianë, të cilët hynë në territorin e Shqipërisë pa viza. Policia njoftoi dje se 43 sportistë iranianë kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Mundjes për Veteranët që zhvillohet në Tiranë. Sipas Policisë, iranianët, që vinin transit në Tiranë, nga Teherani në Stamboll e më pas në Rinas, janë kthyer mbrapsht, pasi asnjëri prej tyre nuk ishte i pajisur me vizë qëndrimi në Shqipëri. Sportistët veteranë që merreshin me mundje, që ishin të gjithë të moshës mbi 40 vjeç, kanë zbritur në aeroportin “Nënë Tereza”, mbrëmjen e së mërkurës. Mangësitë në dokumentacionin e tyre janë zbuluar gjatë kontrollit në aeroport, ku është vënë re mungesa e vizave. Të gjithë pasagjerët janë marrë në pyetje nga oficerët e Komisariatit të Rinasit, për të shpjeguar arsyet e udhëtimit pa viza në vendin tonë, por ata e kanë arsyetuar vetëm me faktin që janë sportistë dhe do të merrnin pjesë në kampionatin e mundjes. Nga ana tjetër, janë shprehur gjithashtu se në Turqi u është thënë se nuk është e nevojshme të jenë të pajisur me viza, me qenë se merrnin pjesë në një eveniment të tillë sportiv. Policia i ka mbajtur të izoluar në Rinas 43 veteranët e mundjes iraniane derisa është marrë vendimi për prapësimin e tyre, dhe mëngjesin e djeshëm ata janë prapësuar drejt Stambollit.
GJOBITET KOMPANIA
Pasi është konstatuar se 43 shtetas iranianë kanë udhëtuar pa viza deri në aeroportin “Nënë Tereza”, oficerët e Komisariatit të Rinasit kanë lajmëruar edhe Drejtorinë e Aviacionit Civil, për të sqaruar në këtë rast pozicionin e kompanisë ajrore, nëpërmjet së cilës është kryer udhëtimi. Burime nga Policia e Tiranës thanë se sportistët iranianë kanë udhëtuar nga Teherani në Stamboll dhe më pas fluturimin drejt Shqipërisë e kanë kryer me avionin e kompanisë “Turkish Airlines”. Veç masës së menjëhershme për prapësimin e udhëtarëve që kishin udhëtuar pa viza, policia sqaroi se në këtë rast përgjegjësia më e madhe është e kompanisë që ka lejuar udhëtimin e tyre drejt Shqipërisë. Të njëjtat burime konfirmuan se menjëherë pas ndalimit të shtetasve iranianë në Aeroportin e Rinasit, është gjobitur edhe kompania ajrore “Turkish-Airlines”, e cila ka mundësuar udhëtimin. Gjoba e parashikuar për kompaninë ajrore turke, sipas policisë, është 13 milionë lekë të rinj. Ndërsa në lidhje me pjesëmarrjen në kampionat të 43 sportistëve tashmë të prapësuar, mësohet se ka nisur procedura e pajisjes së tyre me viza, në mënyrë që të kthehen sërish në Shqipëri, por me dokumentacion të rregullt qëndrimi. Sipas Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve mësohet se në evidencë për të marrë pjesë në kampionatin që mbahet në Tiranë kanë qenë 49 sportistë veteranë nga Irani.
Federata
Presidenti i Federatës së Mundjes, Martin Biba, nuk ka dashur ta komentojë gjatë incidentin e djeshëm. “Prisnim ardhjen e 65 mundësve të Iranit. Sportistët do të konkurronin në 7 kategori të moshave nga 35-70 vjeç. Botërori do të vijojë normalisht, pavarësisht asaj që ka ndodhur. Ne kemi marrë masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”, theksoi dje Biba, në një deklaratë pas ngjarjes së ndodhur në Rinas.
ETLEVA DELIA











