Videoja, LSI: Halilaj provoi mashtrimet e Priftit

Nov 22, 2011 | 12:29

TIRANË-Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka reaguar sot për zhvillimet më të fundit në procesin ndaj kreut të partisë, Ilir Meta për cështjen e video përgjimit, duke deklaruar se vetë dëshmitari i prokurorisë provoi me fakte falsitetin e akuzave të Dritan Priftit. Gjatë një konference për shtyp, Rama publikoi një dokument për sasinë e naftës rreth 30 mijë ton, ose 10 milionë dollarë që i është dhënë në mënyrë të fshehtë që në 10 shkurt, pra 3 javë para realizimit të video përgjimit dhe caktimit te datës së ankandit, kompanisë Tea Konstruksion. Sipas Ramës, provohet sipas dëshmitarit Bekim Halilaj dhe dokumenteve që ai referon, se pronari i kompanisë, është ortak me bashkëshorten e Priftit në kompaninë e tullave. “Kjo provon konflikt interesi, pazare korruptive që nga zhvillimet e djeshme e shndërrojnë procesin ndaj Metës në proces të mbyllur për të çelur një ndaj dëshmitarit të prokurorisë, Priftit”- tha ai.

Luan Rama ka nënvizuar se vetëm dje, në seancë gjyqësore rezultojnë fakte që provojnë katërcipërisht pathemelësinë e akuzës e cila është ngritur mbi dëshminë e një dëshmitari, që dëshmitari tjetër i prokurorisë i hedh poshtë. “Arsyeja që i parashtroj sot lidhet me faktin që jemi të vendosur të realizojmë transparencën ndaj publikut, por edhe të nënvizojmë që akuza është ngritur mbi dëshmi dhe prova të falsifikuara të një dëshmitari që në cdo seancë sa vjen e vihet përballë faktesh që provojnë falsitetin e akuzës”- tha ai, duke shtuar se Meta nuk është më betejë me drejtësinë, por në respekt të organeve ai është në betejë për drejtësinë.

© Panorama.al

Te lidhura