
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shtyu edhe një javë kohën e lënë në dispozicion të tre ekspertëve që do të analizojnë video-përgjimin mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Trupi gjykues priste të dëgjonte përfundimet e tre ekspertëve të caktuar për verifikimin e video-regjistrimit “Meta-Prifti”, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Në orën 10:05, pak pasi gjyqtarët ishin futur në sallën e gjyqit, panë para tyre vetën një prej tre ekspertëve, i cili u shpreh se ekspertiza shkencore nuk ishte ende gati. Eksperti tha se grupi i ekspertëve u ishte përgjigjur pyetjeve të gjykatës, me përjashtim të njërës, çka e bënte ekspertimin të paplotë. Shkak për mosfinalizimin ishte regjistrimi audio-viziv Meta-Prifti i dorëzuar në studion e emisionit “Fiks Fare”, material të cilin ekspertët ende nuk e kishin në dorë. Gjykata e Lartë vendosi dje të shtynte për të hënën e ardhme seancën e radhës. Në këtë mënyrë, gjykata u dha edhe një javë kohë ekspertëve për përgatitjen e konkluzioneve në lidhje me ekspertimin e videos.
PENGESA
Eksperti Artur Rrahmani ishte dje i vetmi anëtar nga grupi i ekspertëve i pranishëm në sallën e gjyqit. I pyetur për kolegët e tij, eksperti Rrahmani tha se “mund të vijnë nga momenti në moment”, por seanca u mbyll pa praninë e tyre. Që në nisje, relatori Ardian Dvorani vuri në dijeni palët se në datën 10 tetor ekspertët i kishin drejtuar një kërkesë Kolegjit Penal për mungesën e pajisjes “raid block”. Po sipas relatorit Dvorani, në datën 13 tetor, nga ana e organit të akuzës i ishte parashtruara Gjykatës së Lartë shqetësimi se programet informatike, të cilat do të përdoreshin nga ana e ekspertëve gjatë ekspertimit të videos, duhet të ishin të licencuara. “Më datë 17 tetor ekspertët na vunë në dijeni se është siguruar pajisja ‘raid block’”, u shpreh në vijim Dvorani. Eksperti Rrahmani e sqaroi Kolegjin Penal se grupi i ekspertëve nuk i ishte përgjigjur njërës nga 18 pyetjet që kishte të bënte me verifikimin e autenticitetit të materialit audio-viziv të sekuestruar nga ana e Prokurorisë në studiot e “Fiks Fare”.
“Ne nuk e kemi kasetën origjinale”, tha eksperti. Në përgjigje të pyetjes së relatorit se përse nuk ishin paraqitur në Prokurori për ta tërhequr, eksperti tha se ata nuk mund të vinin në lëvizje gjykatën në fundjavë për shkak të dy ditëve të pushimit. Në lidhje me kohën që i nevojitej për të kryer këtë ekspertim të fundit, eksperti u shpreh se “nëse e kam materialin, mua më duhen 4 orë punë në laborator”. Kjo kohë u ironizua nga ana e përfaqësuesit të Prokurorisë në seancë, sipas të cilit kaq kohë u duhej dy ekspertëve të tjerë për t’u dalë gjumi. Në përfundim, referuar faktit që dy ekspertët e tjerë nuk ishin të pranishëm dhe për t’u krijuar atyre kohë të mjaftueshme për kryerjen ekspertimit që do të përmbushte me përgjigje të gjitha pyetjet e gjykatës, seanca u shty për më datë 31 tetor.
Armand Bajrami











