Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Malajzi në pjesën e parë të turneut të tij pesëditor në Azi dhe u prit me muzikë, valle dhe kostume tradicionale.
Në fakt, presidenti amerikan nuk hezitoi të merrte pjesë në ceremoninë e pritjes, duke kërcyer përkrah valltarëve malajzianë. Shtëpia e Bardhë e postoi pamjen në rrjetet sociale me mbishkrimin “TRUMP DANCE MALAYSIA VERSION”, (Trump vallëzon në Malajzi), duke provokuar reagime të ndryshme.
Pritja u organizua nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, i cili më pas shoqëroi Trump në një sërë takimesh me udhëheqësit e Azisë Juglindore. Udhëtimi përfshin një takim në Tokio me kryeministrin e sapozgjedhur të Japonisë Sanae Takaichi dhe bisedime me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut.
Gjatë vizitës, Trump mbikëqyri ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes midis Kamboxhias dhe Tajlandës në takimin vjetor të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
“Ne bëmë diçka që shumë njerëz mendonin se nuk mund të bëhej”, tha Trump pas nënshkrimit. Kryeministri kamboxhian e quajti ditën “historike”, ndërsa kryeministri tajlandez tha se marrëveshja hedh “themelin për paqe të qëndrueshme”.
Pas ceremonisë, Trump nënshkroi marrëveshje të veçanta ekonomike me Kamboxhian dhe Tajlandën, dhe arriti marrëveshje të reja tregtare me Malajzinë mbi mineralet kritike.
© Panorama.al












