Një burrë i moshuar mbeti i plagosur rëndë pasi u sulmua nga një bizon në Parkun Kombëtar Yellowstone, në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ndodhi të premten, ndërsa ai dhe nipi i tij po përpiqeshin të fotografonin kafshën e egër.
Momenti dramatik u filmua nga një fotograf që ndodhej në zonë dhe pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Sipas dëshmitarëve, i moshuari dhe nipi i tij ndodheshin disa dhjetëra metra larg bizonit kur kafsha i vuri re dhe nisi t’i ndiqte. Ndërsa fëmija arriti të largohej me shpejtësi, i moshuari u përpoq të strehohej mes pemëve, por bizoni e ndoqi dhe e goditi me forcë.
Si pasojë e goditjes, burri u hodh disa metra në ajër përpara se të binte në tokë. Një dëshmitar okular tha se viktima u ngrit rreth tre metra nga toka dhe pësoi lëndime të rënda në gjymtyrë.
Autoritetet e parkut u kanë bërë edhe një herë thirrje vizitorëve të mbajnë distancë të sigurt nga kafshët e egra dhe të mos u afrohen për t’i fotografuar, pasi bizonët mund të reagojnë në mënyrë të paparashikueshme dhe janë ndër kafshët më të rrezikshme në Yellowstone.
Pamjet e incidentit po qarkullojnë gjerësisht në internet, duke treguar momentin kur bizoni sulmon të moshuarin dhe e hedh në ajër me një goditje të fuqishme.
© Panorama.al












